Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Dy derbi në Serie A

Xhiroja e 22-të në Serie A të Italisë do të karakterizohet me dy ndeshjet derbi. Të dyja ndeshjet zhvillohen të dielën mbrëma, saktësisht njëra pas tjetrës.

Prej orës 18:00 skuadra e Lazios e pret kampionin në fuqi, Napolin. Si Lazio ashtu edhe Napoli synojnë që në këtë përballje të reflektojnë pas humbjeve që i pësuan në turneun e Superkupës së Italisë nga Interi. Lazio u mposht në gjysmëfinale, ndërsa Napoli në finale të këtij turneu që u mbajt në Riad të Arabisë Saudite. Megjithatë, në kampionat Lazio ka formë dukshëm më të mirë se Napoli dhe është më lart në tabelë. Zë vendin e gjashtë me 33 pikë, dy më shumë se Napoli që renditet i nënti. Po ashtu Lazio është në seri prej katër fitoreve në Serie A, ndërsa Napoli ka dy fitore, dy humbje dhe një barazim në pesë xhirot e fundit.

Prej orës 20:45 luhet dueli mes Fiorentinës dhe Interit. Edhe Fiorentina ishte pjesë e turneut të Superkupës së Italisë, të cilin e fitoi Interi. Fiorentina u eliminua në gjysmëfinale nga Napoli dhe ndaj Interit synon të kthehet te fitorja në kampionat pasi në dy xhirot e fundit ka marrë vetëm një pikë. Në anën tjetër, Interi llogaritet favorit por që në këtë duel do të jetë i hendikepuar për shkak të mungesës së mesfushorëve Nicolo Barella e Hakan Calhanoglu, që janë të suspenduar. Interi është i dyti në tabelë me 51 pikë dhe ka një ndeshje më pak të luajtur se Juventusi që është lider me një pikë më shumë, ndërkohë Fiorentina zë vendin e katërt me 34 pikë.

Juventusi pritet të vazhdojë me fitore edhe këtë xhiro, pasi të shtunën prej orës 18:00 luan në shtëpi kundër Empolit, ekip që është i parafundit në tabelë.

Të shtunën luan edhe Milani, por prej orës 20:45 dhe përballet me skuadrën e Bolognas.

Kjo xhiro e kampionatit italian do të mbyllet të hënën mbrëma me duelin mes Salernitanas dhe Romës.

Artikuj të ngjashëm