Kampioni i Italisë, Napoli, synon edhe fitoren e tretë rresht në po aq ndeshje të luajtura këtë edicion në Serie A. Të shtunën, Napoli në stadiumin “Diego Armando Maradona” e pret skuadrën e Lazios. Është kjo njëra prej ndeshjeve me interesante të xhiros së tretë në futbollin italian. Përballja mes Napolit dhe Lazios, nis në orën 20:45 dhe luhet të shtunën. Për dallim prej Napolit që ka pasur një start të furishëm dhe i ka fituar dy duelet e para, Lazio nuk e ka nisur edicionin në mënyrën më të mirë të mundshme. I ka dy disfata dhe ndaj Napolit po synon të marrë pikët e para këtë edicion.
Të shtunën në mbrëmje është edhe dueli mes Atalantas e Monzas, ndërsa prej orës 18:30 do të luhen dy ndeshje tjera: Bologna – Cagliari e Udinese Frosinone.
Të dielën, në Serie A, zhvillohen edhe katër ndeshje të kësaj xhiroje. Vëmendja do të jetë në qytetin e Milanos, ku skuadra e Interit do të përballet me Fiorentinën. Kjo ndeshje nis në orën 18:30, ndërsa Interi kërkon ta regjistrojë fitoren e radhës, pasi i ka fituar dy duelet dy xhirove të mëparshme. Edhe Fiorentina nuk di për humbje këtë edicion, pasi ka tubuar 4 pikë pas dy ndeshjeve të luajtura.
Prej orës 20:45, Juventusi do të jetë mysafir i Empolit dhe ekipi nga Torino do të tentojë të reflektojë me fitore në këtë ndeshje pas barazimit të papritur xhiron e shkuar në shtëpi me Bolognan. Juventusi ka katër pikë, ndërsa Empoli është në mesin e tri skuadrave që këtë edicion ende nuk e kanë mbledhur asnjë pikë në kampionat.