Sport

Muja është krenar për rrugëtimin e jashtëzakonshëm: Nga rrugët e Kosovës te titulli në Belgjikë

Me një fotografi nga shkolla fillore dhe me një tjetër me kupën e kampionit të Belgjikës, Arbnor Muja ka përshkruar të hënën rrugëtimin e tij në futboll.

Muja nisi futbollin në Mitrovicë, fillimisht te shkolla e futbollit Bardhi e më pas te Trepça e Trepça ’89. Vazhdoi në Gjermani, Shqipëri dhe shpërtheu te Drita. Vjet u transferua prej Dritës tek Antwerpi belg, me të cilin fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Belgjikës.

“U rrita në rrugët e Kosovës, duke luajtur futboll me shokët e lagjes. Jetoja vetëm me një qëllim, të bëhem futbollist profesionist, të luaj në arenën ndërkombëtare, të jem sikur ata në televizion. Por të jem kampion në një shtet evropian, se kam menduar kurr. Çdo ditë punova fort dhe besova edhe pse shumë herë u theva nga pikëllimi. Se plani i Zotit është më i miri për ju e dëshmova me karrierën time. Të gjithë ju që më përkrahët, faleminderit. Faleminderit familjarëve, shokëve, juve sportdashës, të gjithëve. Dhe në fund dua të falenderoj vete. Faleminderit Arbnor që nuk lejove veten të mposhtesh kurrë”, ka shkruar Muja.