Arbnor Muja shënoi golin e parë në kampionatin belg të mërkurën mbrëma. Ai realizoi në fitoren 3:0 të Antwerpit kundër Oostendtes. Futbollisti kosovar gradualisht ka gjetur formën që nga transferimi nga Drita verën e kaluar. Muja ka pasur një fillim të vështirë në Antwerp, por ka një shpjegim për këtë.
“Kam mbërritur në Antwerp me një lëndim që më mbajti për një kohë të gjatë”, tha ai për sajtin e afërt me klubin belg, “Gazet Van Antwerpen”.
“Kur pas një kohe u ktheva, nuk isha në formën time më të mirë dhe nuk isha i mbushur me vetëbesim”.
Por, Kupa e Botës në Katar i shërbeu për të kthyer formën.
“Pauza gjatë Kupës së Botës dhe kampi stërvitor në Dubai më kanë bërë mirë. Unë arrita të përgatitesha mirë dhe tani ndihem shumë më mirë. Ky gol është gjëja më e mirë për rikthimin e besimit, megjithatë mendoj se mund të bëj paraqitje edhe më të mirë”, ka theksuar Muja, që shpreson të ketë më shumë hapësirë në të ardhmen te klubi elitar i Belgjikës.
Të dielën Antwerpi do të përballet me Standardin në shtëpi. Muja pritet të mbetet në formacionin startues, pasi trajneri Mark van Bommel tashmë ka treguar se asnjë lojtar i lënduar nuk do të kthehet për fundjavë.
Antwerpi pas 21 ndeshjeve të zhvilluara zë vendin e tretë me 42 pikë. Lider i elitës së Belgjikës është Genku me 55 pikë, ndërsa Unioni zë vendin e dytë me 46 pikë.
Muja 24-vjeçar me Antwerpin ka kontratë deri në qershor të vitit 2025. Ai në 11 paraqitje në elitën e futbollit të Belgjikës ka kontribuuar edhe me një asistim. Një gol dhe një asistim e ka edhe për Kupë të Belgjikës.
Para se t’i bashkohej Dritës, sulmuesi i krahut karrierë bëri edhe te Trepça, Trepça ’89, ekipi i dytë i Braunschweigenit dhe Skënderbeu i Korçës.