Menaxheri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, ka thënë se nuk është i bindur që David De Gea do të vazhdojë kontratën me klubin.
Kontrata aktuale e spanjollit skadon në fund të këtij sezoni dhe përkundër mundësisë për zgjatje edhe për një vit tjetër, e ardhmja e gardianit është në dyshim.
27-vjeçari besohet se është duke menduar seriozisht të ardhmen në Old Trafford, me Unitedin që ka dështuar të luftojë për trofe në sezonet e fundit.
Mourinho raportohet se ka frikë që De Gea mund të përfundojë te Juventusi si lojtar i lirë dhe portugezi në konferencën për media ka thënë se numri një mund të ndërrojë ambient.
“Nuk jam i bindur”, ka thënë Mourinho për Sky Sports. “Nuk mund të gjej fjalën e duhur në anglisht, por të shohim se çfarë ndodh. Vetëm klubi, Davidi dhe njerëzit e tij e dinë përgjigjen”, ka shtuar portugezi.
“Mund të komentoj vetëm se të gjithë e dinë se sa i mirë është, sa i rëndësishëm është për Manchester Unitedin dhe nëse klubi do të donte të ishte më mirë dhe jo më keq, natyrisht se e rëndësishme është ta mbajnë Davidin”.