Portieri spanjoll, David De Gea, ka thënë se do të largohet nga Manchester Unitedi në këtë verë pasi sipas tij, “është koha e duhur për t’u sfiduar diku tjetër”.
Dhe largimi i tij është konfirmuar menjëherë nga “djajtë e kuq”.
“David De Gea ka njoftuar për largimin e tij nga Manchester Unitedi pas 12 vjetëve, ku ka siguruar shumë trofe dhe është kthyer në një prej portierëve më të mirë në histori të klubit. Qëkur u transferua nga Atletico Madridi në vitin 2011, Davidi luajti në 545 ndeshje për Manchester Unitedin, ndërsa e mbajti portën e paprekur në 190 ndeshje – që të dyja rekorde për portierë. Ai fitoi Premier Leaguen, Kupën FA, Ligën e Evropës dhe dy Kupa të Ligës. Ai ka edhe dy çmime si ‘Dorëza e Artë’”, ka shkruar ndër të tjera Unitedi në komunikatën zyrtare të shtunën.
Fjalë të mëdha për portierin spanjoll kanë folur edhe trajneri Erik ten Hag dhe drejtori sportiv John Murtough.