Ëndrra për të fituar medalje në garat e mëdha të karatesë për Shemsedin Qerimin u shua në vitin 1996. Ai ishte 27-vjeçar kur për shkaqe shëndetësore iu rekomandua nga mjekët të mos vazhdojë të merret me karate.
Rrugën që ka trasuar Shemsedin Qerimi po e ndjek me shumë sukses e bija e tij, Vlera.
21-vjeçarja javën e kaluar fitoi medalje të bronztë në garat ekipore me Kosovën në Botërorin e mbajtur në Budapest të Hungarisë.
“Sportin e karatesë e kam trashëguar nga babai, pasi edhe ai ka qenë karateist. Por për shkak të problemeve shëndetësore nuk ka mundur të vazhdojë më kurrë sportin që e ka dashur. Mjeku i ka thënë që nuk guxon më të vazhdosh dhe mallin që e ka pasur për karate ma ka kaluar mua, vëllezërve dhe motës sime. Por vetëm unë vazhdova dhe tash jam medaliste botërore”, ka thënë Vlera Qerimi për KOHËN.
Vlera tregon se i lumtur me suksesin është edhe babai i saj, Shemsedini.
“Babi sigurisht se duhet të jetë krenar, mirëpo gjithmonë kërkon më shumë nga unë. Edhe kur u ktheva në shtëpi nga Budapesti më uroi për medaljen, por më tha se më mirë do të ishte ta fitonit të artën. Por u pajtua edhe me të bronztën”.
Vlera Qerimi tregon se në fillim të karrierës nuk ishte e rregullt në stërvitje. Dashuria për t’u marrë më seriozisht me sportin e karatesë nisi pak vjet më parë.
“Në fillim kam qenë vajzë që nuk ka qenë e rregullt në stërvitje. Herë kam shkuar e herë jo. Kur kam dashur kam shkuar, mirëpo viteve të fundit kam filluar të merrem më shumë profesionalisht”, ka treguar ajo.
Baleti ishte dëshira e saj kur ishte fëmijë.
“Në fillim më ka pëlqyer të merrem me balet, sepse më dukej interesant dhe nuk e di si kam përfunduar në karate. Nuk e di, nganjëherë them sikur të vazhdoja me balet se ku do të isha, por tash krejt njerëzit më njohin si karateiste dhe besoj që është diçka mirë”, ka theksuar Vlera Qerimi.
Për karateisten me potencial, ishte gara e parë si seniore paraqitja në Botërorin e Budapestit. Ajo fitoi katër nga pesë luftërat e saj në konkurrencë ekipore. Në konkurrencë individuale u ndal në luftën e parë.
“Tash gara ime e dytë e madhe i bie të jetë Evropiani dhe synoj medalje. Do ta kem pastaj edhe Botërorin, por synim e kam medaljen në Evropian”.
Evropiani në karate mbahet vitin e ardhshëm në Kroaci, ndërsa tashmë Kosova ka një garuese për të shpresuar në një tjetër medalje të madhe.
Karateistja e kategorisë deri 68 kilogramë është e lumtur me medaljen e bronztë të fituar në konkurrencë ekipore. Tani synon medalje edhe në garat individuale
“Ëndrra ime është të bëhem kampione e botës. Ndoshta do ta arrij pas dy vjetësh, ose edhe më vonë”, ka thënë 21-vjeçarja nga Gjilani.
E bronzta botërore ishte sukses historik për karateistet kosovare. Është medalja e parë e madhe e fituar për Kosovën në sportin e karatesë në gara ekipore.
Krahas Qerimit në ekipin e Kosovës ishin edhe Fortesa Orana, Hatixhe Zejnullahu dhe Albulena Gërvalla.