Sport

Pas të bronztës në Botëror, Orana e Qerimi synojnë medalje edhe në Evropian

Fortesa Orana dhe Vlera Qerimi ecnin me krenari rrugëve të Prishtinës. Nga larg u vërehej buzëqeshja në fytyrë. Kishin arsye të fortë për këtë. Orana, Qerimi dhe dy karateistet e tjera të Kosovës, Albulena Gërvalla dhe Hatixhe Zejnullahu, fituan medalje të bronzta në garat ekipore në Kampionatin Botëror të mbajtur në Budapest të Hungarisë. Për suksesin e arritur në Budapest, karateistet e Kosovës pranuan të enjten urimet edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kurti i priti karateistet të enjten për t’i përgëzuar për suksesin e madh. Urime për medaljet e fituara, Orana e Qerimi nga Gjilani pranuan edhe nga disa kalimtarë.

“Për mua kjo medalje do të thotë shumë. Jam shumë e lumtur për këtë medalje të fituar pas shumë sakrificave. E kam pasur gjithmonë synim arritjen e një medaljeje botërore. Ia dola me shumë sukses pas shumë sfidave. Është medalje historike për Kosovën, pasi për herë të parë si ekip fituam medalje”, ka thënë Orana.

E bronzta botërore ishte sukses historik për karateistet kosovare. Është medalja e parë e madhe e fituar për Kosovën në sportin e karatesë në gara ekipore. Orana e ka kërkuar gjatë suksesin në garat e mëdha.

“Atë ditë për ekip kam qenë shumë e relaksuar dhe e qetë. Ndoshta kjo ka bërë që të kaloj garat me shumë sukses. Sikur ta kisha këtë qetësi edhe në garat individuale, unë sot do të isha vetë kampione në kategorinë time, por në ekipore mbretërori diçka ndryshe brenda meje”, është shprehur Orana.

Kosova e nisi me fitore garën ekipore. Në luftën e parë mposhti Anglinë. Humbi nga Japonia në luftën e dytë. Por Japonia avancoi në gjysmëfinale dhe kështu i dha rast të dytë Kosovës. Karateistet kosovare rreshtuan fitoret për ta fituar medaljen e bronztë. Mposhtën Zvicrën e Francën derisa bindëse ishin edhe kundër Kazakistanit.

“Nuk mendoj se ka qenë rastësi, apo kishim fat, pasi secili ekip ka qenë fuqi botërore. Në Botëror nuk është fati, por ka qenë dita jonë, energjia dhe mbështetja e njëra-tjetrës na kanë sjellë deri te medalja”, ka theksuar ajo.

Në konkurrencë individuale, Orana, 27-vjeçare, nuk ka ende medalje të madhe. Por garuesja e kategorisë mbi 68 kilogramë thotë se suksesi në Budapest e motivon për të synuar medalje të mëdha edhe në garat individuale. Synimi i saj është medalja e artë në Evropianin që mbahet vitin tjetër në Kroaci.

“Medaljen botërore e fituam, tani më ka mbetur synimi kryesor në gara individuale në Evropian, ku shpresoj për të artën. Do të punoj më shumë. Kam energji tjetër, pasi i kam thyer barrierat e mia në kokë, pasi kisha dyshimet se a mundem apo jo. Por tash e shoh qe ishte thjesht dhe tash është koha që të arrij të gjitha rezultate e mundshme”, ka thënë Orana.

Orana i fitoi pesë luftërat e saj. Katër prej pesë luftërave të saj në Budapest, i fitoi edhe Vlera Qerimi.

“Kjo medalje tregon shumë, pasi vetë fakti që e kam synuar, tregon se jam përgatitur për këtë triumf, luftërat dhe gjithë garën që e kemi pasur”, ka thënë Qerimi.

Për 21-vjeçaren e kategorisë deri 68 kilogramë ishte paraqitja e parë si seniore në Botëror.

“E kam pasur një lloj presioni, pasi garonim për Kosovën. Kur kam garuar individuale e kam ditur se gjithë luftën do ta bëj vetë, është barra ime, humbi apo fitoj është rezultati im”, ka deklaruar Qerimi.

Suksesi në Budapest për Qerimin dhe Oranën do të shërbejë si motiv për synime edhe më të mëdha. Medalja e artë në Evropian apo Botëror është synimi i dy garuesve nga Gjilani.