Karateistja Vlera Qerimi nuk ka arritur ta kalojë grupin në Kampionatin Botëror që po mbahet në Kajro të Egjiptit.
Qerimi, e cila garon në kategorinë deri 68 kilogramë, i fitoi dy luftërat e para por u ndal në luftën e tretë dhe u eliminua.
Në garë për medalje në Botërorin e Kajros ka mbetur vetëm karateisti Islam Selmani, që paraqitet në kategorinë deri 60 kilogramë.
Vlera Qerimi garoi të premten. Ajo e fitoi luftën e parë me rezultatin 3:0 ndaj garueses nga Kili, Anastasiia Velozo.
Më pas fitoi edhe ndaj Carla Luff të Afrikës së Jugut, 9:0.
Por me rezultatin 6:0 u ndal në luftën e tretë nga japonezja Tsubasa Kama.
“Ky rezultat nuk mjaftoi që Vlera Qerimi të kalojë grupin dhe të kualifikohet në mesin e 18 garueseve më të mira në botë në kategorinë deri 68 kg. Iu rikujtojmë që nesër në tatami paraqitet Islam Selmani, i cili do të luftojë për gjysmëfinale. Selmani do të ndeshet me japonezin Hiromo Hashimoto, i cili është i ranguar i pari në botë në kategorinë deri 60 kilogramë”, ka njoftuar Federata e Karatesë e Kosovës.
Karateisti tjetër i Kosovës, Betim Maliqi, i cili garoi të enjten po ashtu, nuk e kaloi me sukses grupin e tij në kategorinë deri 75 kilogramë.