Sport

Me vetëm tre vjet në Superligë, Prizreni arrin te trofeu i parë

Tradita vlerësohet e rëndësishme në sport, por jo gjithnjë është vendimtare. Këtë të paktën e ka dëshmuar klubi i basketbollit Prizreni – 16. Klubi që më herët njihej me emrin Kalaja e më pas si Ponte Prizreni, të dielën mbrëma e ka fituar trofeun e parë në basketbollin kosovar.

Prizreni e fitoi Superkupën e Kosovës në basketboll. Derisa Superkupa kryesisht është një ndeshje, më shumë reviale, në mes kampionit dhe fituesit të Kupës, në basketbollin kosovar Superkupa është shndërruar në turne ku paraqiten të gjitha skuadrat e Superligës. Pra luhen katër çerekfinale, gjysmëfinalet dhe finalja.

Prizreni – 16 në finale e mposhti Trepçën me rezultatin 90:81. Ndeshja ishte e fortë dhe interesante. Prizrenasit kishin epërsi të lehtë në pjesën e parë, ndërsa në të dytën e rritën avantazhin. Pas 20 minutave lojë rezultati ishte 46:35. Mitrovicasit dominuan në çerekun e tretë dhe barazuan rezultatin në 59:59. Edhe çereku i fundit u dominua nga Prizreni, ndonëse Trepça nuk u dorëzua. U afrua në dy pikë, 83:81 kur mbetën më pak se dy minuta deri në fund. Por, prizrenasit kishin finish më të suksesshëm dhe fituan me shifrat 90:81.

Arti Hajdari ishte i pandalshëm, duke shënuar 34 pikë për Prizrenin. Ivan Koleviq kontribuoi me 17 pikë, dhjetë asistime e shtatë kërcime. Courtney Fells i shtoi 26 pikë.

Te Trepça u dallua Drilon Hajrizi me 21 pikë, tetë kërcime e katër asistime. Amin Hot i kishte 18 pikë, pesë asistime e katër kërcime, ndërsa Taurus Cockfield shtoi 23 pikë.

Prizreni edicionin e kaluar ishte prej skuadrave kryesore në Superligë. Por mbeti pa trofe. Në Superligë ka përvojë prej tre vjetësh, ndërsa si klub funksionon prej pesë vjetësh. Arbnor Rifati në vitet e fundit ka formuar skuadër cilësore me basketbollistë të mirë vendorë e të huaj. Dhe tashmë Prizreni – 16 ka edhe trofe në vitrinën e tij.

“Ndjenjë e papërshkrueshme. Nëse punon drejt dhe me profesionalizëm, atëherë mundi gjithmonë shpërblehet. Ka qenë një turne i rëndësishëm. Jam jashtëzakonisht i lumtur. Dua të falënderoj të gjithë për kontributin që kanë dhënë në klub”, ka thënë trajneri Arbnor Rifati, që është njeriu kryesor në klubin prizrenas.

Hajdari është shpallur lojtari më i mirë i Superkupës. Ai ka vendosur finalen së bashku me fundorin Koleviq.

““Është ndjenjë e papërshkrueshme, kemi punuar shumë për të ardhur këtu. Me mund dhe sakrificë të madhe arritëm ta sjellim Superkupën e Kosovës në Prizren. Kemi pasur shumë vështirësi të përgatitemi për këtë turne dhe filluam vonë, por u kurorëzuam me këtë titull, që besoj se është i merituar”, ka thënë Arti Hajdari.

Prizrenasit kanë shprehur pretendime edhe për titull të kampionit.

“Kemi qenë të uritur për këtë fitore. Kjo Kupë do të thotë shumë për ne që jemi nga fillimi, që jemi këtu dhe jemi një ndër skuadrat më të mira në kampionat. Do të luftojmë maksimalisht që të jemi në mesin e skuadrave më të mira në Kosovë”, ka thënë qendra Urim Zenelaj.

Për Trepçën kalimi në finale është po ashtu sukses. Skuadra me shumë traditë, në dy edicionet e kaluara mbeti në elitë vetëm falë plejautit. Në verë Trepça është organizuar mirë dhe ka kompletuar herët skuadrën. Mitrovicasit kanë shpresuar ta fitojnë Superkupën dhe tani kanë bartur shpresat për sukses në garat e kampionatit dhe ato të Kupës.