Sport

Me gjithë debutimin olimpik e ardhmja e hokejit në Kinë është e pasigurt

E bëri debutimin olimpik siç edhe pritej – me tri humbje rresht. Konsiderohet ekip i jashtëzakonshëm, pasi përbëhet kryesisht nga lojtarë të huaj. Por, tani vjen pyetja e logjikshme: A mundet ekipi i Kinës në hokej në akull ta ndezë pasionin për këtë sport që nuk është shumë i njohur në shtetin kinez?

Debutimi olimpik i përfaqësueses kineze ndaj SHBA-së nuk u shfaq në kanalin kryesor televiziv të sportit në vend dhe një delegacion olimpik i Kinës u largua nga stadiumi përpara se ndeshja të përfundonte 8:0 në favor të amerikanëve. Në mediat sociale diskutimi për ekipin e hokejit është i zbehtë.

“A është ky një ekip kinez?”, pyeti një përdorues në “Weibo”, duke iu referuar listës së ekipit që kryesisht përbëhet prej lojtarëve nga Amerika e Veriut.

Golat që Kina i shënoi në humbjen 3:2 ndaj Gjermanisë sollën disa lëvdata në internet. Më pas erdhi humbja 5:0 nga Kanadaja, me të cilën do të përballet sërish të martën në raundin eliminator.

“Shumica e kinezëve nuk i kushtojnë vëmendje hokejit, sepse gjasat për të fituar medalje janë pothuajse zero”, tha Xu Guoqi, një profesor që ka shkruar për synimet e kaluara olimpike të Kinës.

Përkundër faktit që disa e shohin të bezdisshëm ekipin e Kinës plot me të huaj, ekspertët vërejnë se afrimi i “mercenarëve” për të ndihmuar në nxitjen e një sporti në një vend nuk është aq i pazakontë në nivel global.

Rekrutimi i lojtarëve nga vendet e tjera, që mund të kenë prejardhje kineze, filloi pasi Kina e fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Olimpike Dimërore, gjë që e kualifikoi automatikisht për të garuar, pavarësisht se nuk kishte një ligë profesioniste të hokejit. Më shumë se gjysma e 25 lojtarëve të ekipit kanë lindur ose janë rritur në Amerikën e Veriut, duke përfshirë disa që nuk kanë lidhje me Kinën. Ata janë paraqitur me versione të emrave kinezë. Portieri i lindur në SHBA, Jeremy Smith, për shembull, është “Jieruimi Shimisi”.

Edhe me lojtarët e huazuar dhe me vendimin e NHL-së për të mos dërguar lojtarët në Lojërat Olimpike shkaku i pandemisë, Kina mendoi të tërhiqte ekipin e saj vetëm disa muaj përpara Lojërave, për të shmangur poshtërimin e mundshëm para botës. Për lojtarët, lëvizja në Kinë për t'u natyralizuar ishte një shans për të garuar në skenën olimpike dhe për të lënë gjurmë në hokej mbi akull në një mënyrë tjetër - duke qenë pjesë e zhvillimit të tij në vend. Kapiteni i ekipit, Brandon Yip, një kanadez me prejardhje kineze që luajti në NHL, mendon se hokeji ka të ardhme në Kinë.

“Ne kemi marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga tifozët”, tha Yip.

Lojërat Dimërore të këtij muaji erdhën në kohën kur kultura sportive në Kinë është në rritje. Ndihmë për të rritur interesimin mund të jetë numri i madh i studentëve kinezë që kthehen në shtëpi pasi kanë studiuar jashtë vendit, sidomos në SHBA dhe Kanada. Në një vend me 1.4 miliardë banorë futja e një pjese të vogël të popullsisë në lojën e hokejit mund të ketë një ndikim të madh.

“Avantazhi më i madh i Kinës janë numrat”, tha Mark Dreyer, profesori që ka shkruar librin “Kina, Superfuqia e Sportit”.

Hokeji megjithatë ka një rrugë të gjatë për të bërë në Kinë dhe e ardhmja e sportit në vend nuk është aspak e garantuar. Interesi i Kinës për të zhvilluar hokejin mund të bjerë gjithashtu nëse nuk sheh rezultate shpejt. Ndryshe nga futbolli dhe basketbolli, hokeji ka një pengesë të madhe pasi kërkon qasje në shesh patinazhi, trajnerë dhe pajisje.

Performanca e Kinës në Lojërat Olimpike do të jetë pa dyshim një faktor se sa shpejt mund të rritet interesi për sportin. Varet edhe nga ajo se kur vendi do të kualifikohet për një Olimpiadë, pa u kualifikuar automatikisht si mikpritës. Kjo nuk varet vetëm nga fitoret dhe humbjet.

Në ndeshjen kundër Gjermanisë një numër i kufizuar i tifozëve vendas të lejuar në arenë shpërthyen në brohoritje kur skuadra shënoi dy golat e saj. Më pas lojtarët thanë se dëgjuan thirrjet dhe se golat treguan se Kina mund të garonte me vendet e tjera në hokej.

“Mendoj se pjesëmarrja në këtë Olimpiadë është vetëm fillimi i ngritjes së hokejit në Kinë”, insistoi kapiteni Yip.