Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Familjarët danezë vendosin rekord të ri olimpik

Ekipet e hokejit të Danimarkës në të dy konkurrencat shkruan historinë vetëm me të shkelur mbi akull në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Të dy skuadrat janë debutuese në Olimpiadën Dimërore, por ato mund të mburren edhe me një rekord të veçantë olimpik, pasi janë tetë vëllezër e motra. Sulmuesi i ekipit të meshkujve, Julian Jakobsen, thotë se kur e ka parë motrën e tij, Josefinen, si kapitene të ekipit të femrave në Pekin, ka qenë thjesht një moment i mrekullueshëm. Në fakt, ai e ka përcjellë ndeshjen e parë të motrës.

“E kam parë ndeshjen e parë kundër Kinës (4 shkurt), por prindërit më kanë thënë se ajo ka luajtur mirë kundër Republikës së Çekisë tri ditë më vonë, duke shënuar edhe një gol të bukur dhe duke dhuruar një asistim. Është një gjë shumë e mirë”, ka pranuar Juliani.

Goli i realizuar nga Silke Glud, falë asistimit të Josefina Jakobsenit, iu dha danezeve fitoren historike kundër Çekisë me rezultatin 3:2. Ngjashëm sikurse Juliani e Josefina që janë vëlla e motër, te ekipet e Danimarkës në hokej janë edhe gjashtë familjarë të tjerë. Mia Bau Hansen dhe Mathias Hansen, Josephine dhe Matthias Asperup dhe Emma dhe Patrick Russell, janë vëllezërit e motrat e tjera që po paraqiten në Pekin.

Do të ishte edhe një çift tjetër - vëlla e motër te Danimarka - por Frederik Anderseni nuk iu bashkua motrës Amalie në Pekin, pasi lojtarët e ligës NHL nuk u lejuan të udhëtonin në Pekin shkaku i shqetësimeve të koronavirusit. Edhe kështu, ka shumë nëna dhe baba krenarë në Danimarkë dhe Christine Russell, e ëma e Emmas dhe Patrickut i ka thënë Federatës Ndërkombëtare të Hokejit në Akull (IIHF), se është shumë e lumtur t’i shohë fëmijët e saj në Lojërat Olimpike Dimërore.

“Jam jashtëzakonisht e nderuar. Kam qenë shumë e lumtur”, ka thënë Russell pasi që të dy fëmijët e saj arritën të kualifikoheshin. “Të jem e sinqertë, janë përdorur shumë paketime të faculetave. Jam emocionuar shumë dhe isha shumë e lumtur për ta. E di se çfarë do të thotë kjo gjë për ta, sa shumë janë munduar. Kam qenë thjesht shumë e kënaqur”.

Edhe Finlanda i gëzohet të artës së parë olimpike në hokej mbi akull Sport Finlanda i gëzohet të artës së parë olimpike në hokej mbi akull

Të shohësh një ekip të hokejit në akull që kualifikohet për herë të parë në një Olimpiadë, në një shtet me gjashtë milionë njerëz – ku futbolli dhe hendbolli dominojnë në skenën sportive – është diçka madhështore. Por, për të dy përfaqësueset në dy konkurrencat, debutimi në Lojërat Dimërore është e mrekullueshme. Dhe, është pjesë e një rritjeje të sporteve dimërore dhe olimpistëve pasi Danimarka e dërgoi në Pekin ekipin më të madh sa i përket numrit të sportistëve në dy konkurrencat. Danimarka në Pekin garon në pesë sporte, kurse e përfaqësojnë 62 sportistë (29 femra dhe 33 meshkuj) në pesë sporte. Tani, me lidhjet që i kanë në ekipin e meshkujve dhe të femrave në hokejin në akull, ata po e përkrahin njëri-tjetrin shumë.

“Është gjë e mirë për ato”, ka thënë Patrick Russell pasi e pa motrën e tij Emman ta shijojë fitoren historike kundër çekeve. “Ato e merituan fitoren. Ato patën një ndeshje të fortë kundër Japonisë që e humbën, kështu që ishte gjë e mirë që u kthyen fuqishëm për ta shënuar këtë fitore të madhe kundër Republikës së Çekisë”.

Emma Russell i ka thënë IIHF-së para Lojërave të Pekinit se “pritshmëritë tona janë të japim më të mirën, me shpresën që do të shkojmë në çerekfinale”.

“Do ta japim më të mirën. Është hera jonë e parë në Olimpiadë dhe të jesh këtu është gjë shumë e bukur dhe ne duam vetëm të luajmë mirë hokej”, tha Emma.

Përderisa danezet nuk arritën në çerekfinale, ato mund të ndihen krenare për fitoren e parë të shtetit të tyre në hokej në Lojërat Olimpike Dimërore. Tani është koha që lojtaret daneze t’i përkrahin vëllezërit e tyre në konkurrencën e meshkujve.

Edhe Me gjithë debutimin olimpik e ardhmja e hokejit në Kinë është e pasigurt Sport Me gjithë debutimin olimpik e ardhmja e hokejit në Kinë është e pasigurt

Danezet në Grupin B u mposhtën nga Kina (3:1), Japonia (6:2) dhe Suedia (3:1).

Patrick Russell ka thënë për se të ndash eksperiencën e Olimpiadës bashkë me të afërmit, është diçka e veçantë.

“Është e veçantë. Ne flasim në ‘FaceTime’ dhe kemi ecur së bashku nëpër qytet dhe kemi bërë fotografi së bashku. Ceremonia hapëse ka qenë shumë e bukur. Këto janë kujtime që do të mbesin brenda nesh për gjithë jetën”, shtoi Patrick.

Mathias Bau Hansen, vëllai i Mias, pajtohet me një gjë të tillë.

“Është diçka speciale të jesh së bashku me motrën në Olimpiadë. Është qejf. Ajo kujdeset që të bëjë fotografi të gjërave të ndryshme”, tha ai.

Edhe Përfundojnë Lojërat Olimpike Dimërore, Norvegjia e pakonkurrencë Sporte të tjera Përfundojnë Lojërat Olimpike Dimërore, Norvegjia e pakonkurrencë

Çfarëdo që ndodh, meshkujt dhe femrat e Përfaqësueses së Danimarkës kanë inspiruar gjeneratat e reja dhe e kanë thyer akullin për të ardhmen e olimpistëve danezë në hokejin mbi akull. Në konkurrencën e meshkujve, Danimarka është pjesë e Grupit B dhe në ndeshjen e parë ka triumfuar ndaj Çekisë (2:1), ndërsa do të përballet edhe me Komitetin Olimpik të Rusisë dhe Zvicrën. / olympics.com