Futboll

Pse një superfuqi si Kina dështon në sportin më të popullarizuar në botë?

Kina-Futboll

Pavarësisht përpjekjeve të presidentit Xi Jinping për ta ringjallur futbollin, ekipi kombëtar i Kinës në konkurrencë të meshkujve ka dështuar të kualifikohet në shumicën e Kupave të Botës dhe renditet i 94-ti në klasifikimin global të FIFA-s. Anglezi Rowan Simons, komentator dhe publicist, ka argumentuar se “kultura e futbollit buron nga vullnetarët, shoqëria civile dhe organizatat e klubeve, përderisa asnjëri nga këto elemente nuk mund të lulëzojë në Kinë, për arsye se shihen si kërcënim për pushtetin e Partisë Komuniste”. Disa nga problemet kyç përfshijnë ndërhyrjen politike, mungesën e talenteve, korrupsionin e përhapur dhe presionin akademik që kufizon pjesëmarrjen e rinisë

Në prill, presidenti kinez, Xi Jinping, kishte vizituar kompaninë e cila zhvillon dhe prodhon robotë humanoid. Për aq kohë sa qëndroi aty, ai propozoi një ide për ta përmirësuar ekipin e përfaqësueses së Kinës, të cilit i mungojnë sukseset.

“A munden robotët t’i bashkohen ekipit?” - ishte cituar të ketë thënë Xi, transmetoi faqja e internetit të Zhiyuan Robotics.

Mund të jetë shumë vonë. Kina mund të mbetet jashtë kualifikimeve për Kupën e Botës nëse dështon ta mposhtë Indonezinë të enjten. Edhe një fitore thjesht mund ta vonojë eliminimin.

Ku qëndron problemi? Kina ka një popullatë prej 1.4 miliardë banorësh, ekonominë e dytë më të madhe në botë dhe ka fituar 40 medalje të arta olimpike vitin e kaluar në Paris, për t’u barazuar me Shtetet e Bashkuara. Pse nuk po mundet të gjejë 11 lojtarë elitarë të futbollit?

Si e shpjegon futbolli Kinën

Qeveria kontrollon pothuajse çdo aspekt të jetës në Kinë. Kjo qasje lart-poshtë e ka ndihmuar Kinën që të shndërrohet në prodhuesin më të madh në botë, duke filluar nga pajisjet elektronike, këpucët dhe çeliku.

Është përpjekur ta drejtojë futbollin, por ajo qeverisje e ngurtë nuk ka funksionuar.

“Futbolli reflekton problemet shoqërore dhe politike të Kinës”, ka thënë gazetari dhe komentatori kinez, Zhang Feng, për agjencinë e lajmeve Associated Press. “Nuk është një shoqëri e lirë. Nuk e ka nivelin e duhur të besimit në ekip, që u lejon lojtarëve të pasojnë topin me njëri-tjetrin pa u ndier të shqetësuar”.

Kina-Futboll

Zhangu argumenton se politika e ka bllokuar zhvillimin e futbollit. Ka presion të shtuar që prej kur Xi është kthyer në fans të madh dhe ka premtuar se ringjall lojën në shtëpi. Futbolli është gjuhë botërore me “gramatikën e vetë”, mirëpo Kina nuk e flet atë, ka thënë Zhang.

“Në Kinë, sa më shumë theks i vë udhëheqësi futbollit, aq më nervoze bëhet shoqëria, aq më shumë pushtet fitojnë burokratët dhe aq më të korruptuar bëhen ata”, ka shtuar ai.

Ëndrra apo makthi i Xi Jinpingut?

Pasi Kina e mposhti Tajlandën me rezultat 2-1 në vitin 2023, Xi bëri shaka me Srettha Thavisin, ish-kryeministrin tajlandez të asaj kohe. 

“Mendoj se fati ishte pjesë e madhe e kësaj”, pati thënë Xi.

Konsensusi është i qartë. Kina ka pak lojtarë cilësorë, ka shumë ndërhyrje politike nga Partia Komuniste, dhe ka korrupsion të tepruar nëpër ndeshjet lokale.

Wang Xialei, një tjetër komentator i rëndësishëm kinez, ka sugjeruar se futbolli përplaset me qeverisjen lart-poshtë të Kinës dhe theksin në të mësuarit përmendësh.

“Në çfarë jemi më të mirët ne? Dogma. Por futbolli nuk duhet të jetë dogmatik. Në çfarë jemi më të këqij? Frymëzimin e zgjuarsisë, dhe kultivimin e pasionit”, ka shkruar Wang.

Futbolli është më i madh se Kina

Kapitulli më i fundit në historinë e futbollit të Kinës ishte humbja me rezultat 7-0 kundër rivalit gjeopolitik të Japonisë vitin e kaluar.

“Fakti që kjo humbje mund të ndodhë dhe njerëzit nuk po befasohen – pavarësisht armiqësive historike – ilustron problemet me të cilat ballafaqohet futbolli në Kinë”, ka thënë Cameron Wilson, një skocez që ka punuar në Kinë për 20 vjet, si dhe ka shkruar në mënyrë të vazhdueshme për lojën e futbollit në këtë vend.

Kina është kualifikuar në vetëm një Kupë të Botës, në konkurrencën e meshkujve në nivelin senior. Ishte viti 2002, kur atëbotë nuk shënoi asnjë gol dhe i humbi që të tria ndeshjet në fazën grupore. Trupi udhëheqës i futbollit botëror (FIFA) e ka vendosur Kinën në pozitën numër 94 në renditjen e saj – mbrapa Sirisë së dërrmuar nga lufta civile dhe para Beninit të renditur në pozitën numër 95.

Nga ana tjetër, Islanda është vendi më i vogël për nga numri i popullatës që është kualifikuar në Kupën e Botës. Bazuar në regjistrimin e fundit del se ky vend ka afërsisht 400 mijë banorë.

Uebfaqja “Soccerway”, që mbulon qindra liga dhe gara të futbollit në katër anët e botës, nuk tregon rezultate për ndonjë lojtar kinez në ligat më të rëndësishme evropiane. Lojtari më i mirë i ekipit kombëtar është sulmuesi Wu Lei, i cili ka luajtur për tri sezone në ligën spanjolle të futbollit (La Liga), si lojtar i Espanyolit. Aksionari më i madh i këtij klubi është kinez.

Kupa e Botës 2026 do të përbëhet nga 48 ekipe kombëtare, në krahasim me 32 ekipe sa kishin qenë në vitin 2022, megjithatë Kina mund të mos ia dalë.

Kina do të eliminohet herët në fazën kualifikuese në qoftë se e humb ndeshjen kundër Indonezisë. Edhe nëse fiton, Kina duhet ta mposhtë po ashtu Bahrejnin më datë 10 qershor, që t’i ruajë shpresat për të përparuar në fazën tjetër kualifikuese të Azisë.

Pikëpamja e një të huaji për futbollin kinez

Anglezi Rowan Simons ka jetuar pothuajse 40 vjet në Kinë dhe është bërë i famshëm duke komentuar ndeshjet e Ligës së Anglisë (Premier League) në gjuhën kineze. Ai gjithashtu ka botuar librin me titull “Bamboo Goalposts” në vitin 2008.

Kina po përfiton nga reformat e dekadës së fundit që e kanë vendosur futbollin brenda programeve shkollore. Por, Simoni ka argumentuar se kultura e futbollit buron nga vullnetarët, shoqëria civile dhe organizatat e klubeve, përderisa asnjëri nga këto elemente nuk mund të lulëzojë në Kinë, për arsye se shihen si kërcënim për pushtetin e Partisë Komuniste.

“Në Kinë, në moshën 12 ose 13 vjeç, kur fëmijët shkojnë në shkollën e mesme, kjo njihet si shkëmbi”, ka thënë ai. “Prindërit mund t’i lejojnë fëmijët e tyre që të angazhohen në aktivitete sportive kur janë më të rinj, mirëpo në momentin që fillon shkolla e mesme, atëherë presioni akademik bëhet më i theksuar – kurse sporti lihet anash”. 

Kina-Futboll

Ç’është e vërteta, ekipi kinez në konkurrencë të femrave ka qenë më i suksesshëm se ai i meshkujve. Kina përfundoi e dyta në Kupën e Botës në vitin 1999, por që atëherë ka pësuar rënie, ndërsa ekipet evropiane janë rritur me ekspertizën e integruar nga loja e meshkujve. Spanja ishte fituesja e Kupës së Botës në konkurrencë të femrave në vitin 2023. Kina ishte eliminuar në fazat e hershme të kompeticionit, duke pësuar humbje me rezultat 6-1 nga Anglia në grupe.

Kina ka pasur sukses duke synuar sportet olimpike, disa prej të cilave janë relativisht të panjohura dhe bazohen në stërvitjet e përsëritura, më shumë sesa në kreativitet. Sportet ekipore olimpike si futbolli ofrojnë vetëm një medalje. Pra, si shumë vende të tjera, Kina përqendrohet në sportet me medalje të shumëfishta. Në rastin e Kinës, këto sporte janë kërcimet në ujë, pingpongu dhe peshëngritja.

“Për të rinjtë ekziston një vlerë e vetme -  të testohen mirë”, ka thënë Zhang, komentatori dhe gazetari sportiv. “Për Kinën do të ishte mirë nëse futbolli do të bazohej në kërcimin e topit rreth 1,000 herë”.

Fytyra e korrupsionit

Li Tie, ish-trajneri i ekipit kombëtar, u dënua vitin e kaluar me 20 vjet burgim për ryshfet dhe kurdisje të ndeshjeve. Zyrtarë të tjerë janë akuzuar po ashtu për korrupsion.

Korrupsioni është shtrirë edhe në Superligën vendase. Klubet shpenzuan miliona - ndoshta miliarda - për talente të huaja, të mbështetura nga shumë biznese shtetërore dhe pronarë të pasurive të paluajtshme.

Shembull ishte Guangzhou Evergrande. Kampioni i tetëfishtë i Superligës, dikur i trajnuar nga italiani Marcelo Lippi, u përjashtuan nga liga dhe u shpërbë në fillim të këtij viti, pasi ishte i paaftë për t’i paguar borxhet.

Zhang ka thënë se biznesmenët investuan në ekipet profesionale të futbollit në formën e “haraçit politik”, teksa citoi miliarderin kinez Hui Ka-yan. Biznesmeni i pasurive të paluajtshme e kishte financuar klubin e futbollit Guangzhou Evergrande, duke e përdorur futbollin si mjet për t’u afruar me politikanë.

Gjiganti i pasurive të paluajtshme, Evergrande, ka akumuluar borxhe të shumta, sipas raportimeve në vlerë prej 300 miliardë dollarësh, duke reflektuar segmentin e dëmtuar të pronave të Kinës dhe shëndetin e përgjithshëm të ekonomisë.

“Dështimi i Kinës në nivel ndërkombëtar dhe korrupsioni i rrënjosur në lojë, të gjithë këta janë faktorë që i bëjnë prindërit të mos i lejojnë fëmijët e tyre të përfshihen”, ka thënë Simons, i cili ka themeluar një klub futbolli për të rinj të quajtur “China Club Football FC”.

“Prindërit e shohin se çfarë po ndodh dhe pyesin veten nëse duan që fëmijët e tyre të jenë të përfshirë. Është me të vërtetë trishtuese dhe frustruese”, ka shtuar ai.