Sulmuesi kroat Mario Manxhukiq i ka dhënë fund karrierës. Njëri prej lojtarëve më të mirë të Kroacisë është tërhequr nga futbolli aktiv pas 17 vjetësh si profesionist.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Manxhukiqi në një postim në “Instagram”. Ai ndër të tjera ka shkruar se ishte ardhur koha për t’u përshëndetur, duke shtuar se ndihet krenar me karrierën dhe arritjet që i ka pasur.
35-vjeçari karrierën e ka nisur në vitin 2004 te Marsonia për të vazhduar te Zagrebi, Dinamo Zagrebi, Wolfsburgu, Bayern Munichu, Atletico Madridi, Juventusi, Al-Duhail dhe sezonin e shkuar te Milani.
Ai prej vitit 2007 deri në vitin 2018 ka luajtur për Kroacinë, duke shënuar 33 gola në 89 paraqitje.
Me Kroacinë ishte nënkampion bote në vitin 2018 kurse në nivel klubesh, Manxhukiq ka fituar në total 22 trofe.