Ish-sulmuesi Mario Manxhukiq, i është bashkuar stafit të trajnerëve te Përfaqësuesja e Kroacisë. Federata e Futbollit të Kroacisë, të hënën ka njoftuar për angazhimin e Manxhukiqit, i cili do të punojë përkrah përzgjedhësit Zlatko Daliq.
“Reprezentuesi i argjendtë, Mario Manxhukiq është anëtari më i ri i shtabit profesional të përzgjedhësit Zlatko Daliq. Ne besojmë se Mario do të jetë po aq i suksesshëm edhe në rolin e trajnerit sikurse në atë të lojtarit”, ka shkruar federata kroate në “Twitter”.
Manxhukiq në shtator të këtij viti, i dha fund karrierës si lojtar aktiv. Ai ka qenë reprezentues i Kroacisë prej vitit 2007 deri në vitin 2018 duke shënuar 33 gola në 87 paraqitje. Me Kroacinë, Manxhukiq doli nënkampion bote në vitin 2018.