Malisheva ka fituar por titulli do të vendoset në xhiron e fundit.
Malishevasit të shtunën fituan me rezultatin 4:2 kundër Trepçës së mesit të tabelës, por fitore shënoi edhe kandidati tjetër serioz i grupit, Dukagjini. Dukagjini mposhti Drenasin e parafundit në tabelë me rezultatin 4:1.
Malisheva pas 26 xhirove tani ka 57, i përcjellë nga Dukagjini që dy pikë më pak.
Vendësit në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë kaluan në avantazh që në minutën e 10-të. Arbios Thaqi pasoi për Altin Aliun i cili me të majtën e shënoi golin e 10-të të sezonit.
Njëmbëdhjetë minuta më vonë, shënues ishte Dren Kryeziu. Kryeziu e shfrytëzoi për mrekulli harkimin e Bleon Sekiraqës. Për kryeziun ishte goli i pestë i kampionatit.
Edhe
Malisheva fiton derbin dhe mban hapin me liderin
Të udhëhequrit e trajnerit Arsim Thaqi e trefishoi rezultatin.
Pesë minuta para fundit të pjesës së parë, Bleon Sekiraqa përfitoi nga një duel në mesfushë, dhe me gjuajtje të fortë e të saktë, realizoi për 3:0.
Në pjesën e dytë, “Minatorët” e drejtuar nga trajneri Emin Baliqi treguan fytyrë krejtësisht tjetër. Tre minuta pas pushimit, Enis Zabërxha tundi rrjetën e portës së kundërshtarëve pasi u gjend më së miri në zonë.
Ishte vetë Zabërxha që në minutën e 57-të nisi aksionin në krahun e djathtë për Edis Ahmetin. Ahmeti e gjeti në zonë Bleond Rexhepin dhe 18-vjeçari ishte i pagabueshëm përballë portierit Flamur Gashi.
Pavarësisht presionit që ushtroi skuadra vizitore, ishin nikoqirët që shënuan edhe një herë tjetër.
Albion Rrahmani në minutën e 86-të me gjuajtje të fuqishme nga distanca, vulosi rezultatin final të takimit, 4:2. Për 20-vjeçarin nga Podujeva ishte goli i 16-të në kampionat.
Edhe
Malisheva mposht Dritën, përfundon në vend të dytë
Ndeshjen e fundit të edicionit aktual në Ligën e Parë, Malisheva e luan në udhëtim te Vëllaznimi.
Nga ana tjetër, Trepça në Mitrovicë do të jetë nikoqire e Dukagjinit.