Mesfushori Alexis Mac Allister do të largohet nga skuadra e Brightonit gjatë afatit kalimtar të janarit, përcjell “The Sun” të martën.
Edhe tek ekipi anglez kanë pranuar se e kanë të pamundur ta mbajnë 23-vjeçarin pas paraqitjeve të mira në Botërorin “Katari 2022”, ku e fitoi titullin e botës me Argjentinën. Drejtuesit e Brightonit kanë zbuluar se tashmë kanë marrë oferta për Mac Allisterin nga të gjitha klubet e mëdha të Evropës, të cilat do t’i shqyrtojnë së bashku me lojtarin. Në gjashtë paraqitje në Kupën e Botës për Argjentinën, mesfushori shënoi një gol dhe bëri një asistim.
Ai është pjesë e Brightonit prej vitit 2019 dhe ka kontratë deri në vitin 2025 me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Në 14 paraqitje këtë edicion në Premier League, Mac Allister ka shënuar pesë gola.