Në shteg shkëlqeu të enjten. U rendit e para në vrapim 3000 metra me pengesa dhe madje vendosi edhe rekord të Kampionatit Ekipor Evropian. Por atletes më të mirë shqiptare i është dashur të presë deri të dielën për të mësuar që ka fituar medalje të artë në Lojërat Evropiane që po mbahen në Poloni. Për ta vënë medaljen në gjoks i duhet të presë edhe disa ditë të tjera.
Gara e atletikës në Lojërat Evropiane ka shërbyer edhe si Kampionat Ekipor Evropian. Kampionati Evropian në konkurrencë ekipore është i ndarë në tri divizione. Fillimisht janë mbajtur garat në Divizionin e tretë, ku janë Shqipëria e Kosova. Më pas janë mbajtur garat në nivelin e dytë e fare në fund në Divizionin e parë. Në Divizionin e parë gara ka përfunduar të dielën mbrëma.
Vetëm pasi ka përfunduar gara në të tri divizionet, janë mësuar medalistët e Lojërave Evropiane. Janë marrë për bazë rezultatet më të mira në të tri divizionet. Shumica e medaljeve janë fituar nga garuesit e Divizionit të parë, që është më i forti. Por jo në vrapimin 3000 metra me pengesa. Aty Luiza Gega është e pakonkurrencë.
Atletja shqiptare e përfundoi shtegun për 9:17.31 minuta. Koha e saj është rekord i kampionatit evropian ekipor. Në Divizionin e dytë më e mira ishte sllovenja Marusha Mishmash-Zrimshek me kohë prej 9:23.41 minuta. Ndërsa në Divizionin e parë më e mira ishte atletja polake Alicja Konieczek. Koha e saj ishte 9:38.72 minuta. Pra, Luiza ishte bindshëm më e mira dhe tani mund t’i gëzohet të artës në Lojërat Evropiane.
“Jam shumë e lumtur që arrita të fitoj medaljen e artë në këto lojëra, edhe pse në këtë formë. Pavarësisht se Shqipëria merr pjesë në Divizionin e tretë dhe kundërshtaret që kisha nuk ishin në nivelin tim, unë sigurova të artën. Të merrja pikët maksimale në garën që kisha nuk ishte e vështirë. Por synimi në këtë garë pos pikëve që doja t’i jepja ekipit ishte edhe të realizoja kohë sa më të shpejtë, në mënyrë që të isha pjesë e zonës së medaljeve”, ka thënë Gega të dielën mbrëma për KOHËN.
Ajo ka pranuar se emocionet ishin të përziera për faktin se është dashur të presë garën e të tjerave për të mësuar se a ishte medaliste.
“Në momentin që përfundoi gara në 3000 metra me pengesa dhe askush nuk arriti të vrapojë më shpejt se unë pa dyshim që jam ndier dhe ndihem e lumtur. Po i sjell vendit një tjetër medalje të rëndësishme”, ka shtuar Gega, që po rreshton sukseset në garat e vrapimit.
Ajo ka treguar që më 29 korrik medalja do t’i dorëzohet Komitetit Olimpik të Shqipërisë. Ceremonia për Gegën do të organizohet në Shqipëri.
Medalje të artë për Shqipërinë ka fituar edhe karateisti Alvin Karaqi.