Kur skuadra Shanghai Port pagoi gati 100 milionë dollarë për ta transferuar mesfushorin Oscar nga Chelsea në vitin 2016, trajneri i klubit londinez atëbotë, Antonio Conte, shprehu shqetësimin për ngritjen e ligës kineze. Tani Oscar është një nga të paktët emra të mëdhenj të mbetur në Superligën e Kinës, me Arabinë Saudite që po e tejkalon atë si gara kryesore aziatike, pasi ka filluar të tërheqë figura të futbollit në Evropë.
Al-Hilal i Riadit mundi klubet evropiane në fillim të këtij muaji për të siguruar shërbimet e mesfushorit brazilian Matheus Pereira, të cilin e transferoi nga skuadra angleze West Bromwich Albion. Transmetuesi anglez i futbollit, Noel Whelan, nuk ishte i impresionuar nga kjo marrëveshje.
“Sa i përket aspektit të futbollit, WBA-ja e hoqi veten nga qendra e vëmendjes, por fitoi financiarisht nga kjo marrëveshje. Mirëpo edhe ekipi saudit me këtë lëvizje nuk e shfaqi veten siç do të shfaqej ndonjë ekip në Evropë nëse do të transferohet Matheusin”.
Reagimi i mediave sociale ishte i ngjashëm me atë kur lojtarët po largoheshin nga Evropa për në Kinë pesë vjet më parë, megjithëse shumat e paguara nga klubet saudite nuk përputhen me ato që kishin paguar skuadrat nga Shangai, Pekini dhe Guangzhou. Kina kishte ligën me shpenzimet më të mëdha në botë, në afatin kalimtar të dimrit në vitin 2017, duke shpenzuar në total 457 milionë dollarë në lojtarë.
Një kombinim i rregulloreve më të ashpra qeveritare, duke përfshirë një të ashtuquajtur taksë transferimi që synonte të zvogëlonte shpenzimet dhe kufizimet e pandemisë COVID-19 kanë ndryshuar peizazhin kinez të futbollit. Një numër i lojtarëve brazilianë janë detyruar të lënë klubet kineze me ish-mesfushorin e Barcelonës, Paulinhon, dhe me Taliscan që u transferuan në Arabinë Saudite.
Edhe
Futbolli kinez, i mbushur me yje, po zbehet
“Ishte një nder të luaja për një klub të madh si Guangzhou në Kinë, por jam shumë i lumtur që tani jam në Arabinë Saudite”, tha Talisca, pasi u bashkua me ekipin Al-Nassr. “Ka shumë lojtarë të mëdhenj që vijnë këtu dhe liga ka shumë potencial për t’u rritur. Është një kohë emocionuese të jesh këtu”.
Liga e Arabisë Saudite ka kohë që ka ambicie për t'u bërë liga kryesore e Azisë. Në vitin 2018, Turki Al-Asheikh, atëherë kryetar i Autoritetit të Përgjithshëm të Sporteve që drejtohej nga qeveria, tha se synimi i tij ishte që liga saudite të bëhej një nga ligat më të mira në botë deri në vitin 2020. Pandemia globale ka ndikuar në këtë qëllim, por vendi ka disa avantazhe ndaj Kinës për sa i përket tërheqjes së lojtarëve.
“Futbolli i Arabisë Saudite është më i vendosur në nivelin e klubeve dhe gjithashtu në nivel ndërkombëtar”, tha Simon Chadwick, profesor i Sportit Euroaziatik në Shkollën e Biznesit “Emlyon”. “Ka një intensitet pasionant për futbollin në këtë vend, që e bën atë një destinacion legjitim për lojtarët nga e gjithë bota”.
Arabia Saudite ka pesë paraqitje në Kupën e Botës dhe tre tituj aziatikë në krahasim me një paraqitje të Kinës në shfaqjen globale të lojës. Braziliani Pereira zëvendëson ish-mesfushorin e Italisë, Sebastian Giovincon te Al-Hilali, një fuqi aziatike me tri kampionate kontinentale. Ai i bashkohet ish-sulmuesit të Francës, Bafetimbi Gomis, që sezonin e shkuar ishte golashënuesi më i mirë në Arabinë Saudite. Po ashtu pjesë e këtij klubi janë edhe peruani Andre Carrillo dhe përforcimi më i ri, Moussa Marega, nga skuadra e Portos.
Rivalja e Al-Hilalit, skuadra Al-Nassr, e transferoi Pity Martinezin e Argjentinës vitin e shkuar për 18 milionë dollarë, ndërsa në prag të sezonit të ri siguroi edhe kamerunasin Vincent Aboubakar nga Porto dhe argjentinasin Ramiro Funes Mori nga Villarreali. Ka pasur një model të ngjashëm edhe me trajnerët nëpër ekipet e Arabisë Saudite. Vitet e fundit disa nga më të mirët në botë u drejtuan për në Kinë, përfshirë ish-fituesit e Kupës së Botës, Marcello Lippin dhe Luiz Felipe Scolarin, pastaj edhe Fabio Capellon, Felix Magathin, Sven-Goran Erikssonin e Manuel Pellegrinin.
Megjithatë ka pasur një lëvizje drejt Perëndimit në sezonet e fundit. Leonardo Jardim, i cili e udhëhoqi Monacon drejt titullit të kampionit në Ligue 1 në vitin 2017, dhe ish-përzgjedhësi i Brazilit, Mano Menezes po punojnë me klubet saudite këtë sezon. Ka çështje për të zgjidhur, megjithatë, me disa klube që mbështeten në donatorë të pasur dhe mbështetjen e shtetit. Në vitin 2018, Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, ndërhyri me 340 milionë dollarë për të mbuluar borxhet që kishin klubet e Ligës Profesionale Saudite. Testi i vërtetë, sipas Chadwickut, do të jetë qëndrueshmëria afatgjate e kësaj lige.
Edhe
Pse paratë nuk sollën suksesin në Botëror për Arabinë e Katarin?
“Ka pasur disa ndihma shtetërore, por ka një dëshirë për të stabilizuar klubet dhe për t'i ekspozuar ato ndaj presioneve të tregut, për t'i detyruar të bëhen më të disiplinuar financiarisht dhe të orientuar në tregti”, tha Chadwick. “Ka një optimizëm dhe një lëvizje rreth futbollit saudit që nuk është pa bazë”.
Arabia Saudite po rrit ndikimin e saj jashtë fushës gjithashtu, duke zhvilluar lidhje të ngushta me udhëheqjen e FIFA-s. Ka pasur spekulime për një ofertë të mundshme për organizimin e Kampionatit Botëror në vitin 2030, dhe Federata e Futbollit të Arabisë Saudite pushtoi mediat botërore kohët e fundit kur bëri thirrje për organizimin e Kupës së Botës çdo dy vjet.