Ylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo do ta shijojë për herë të parë konkurrencën aziatike të martën, ku Al-Nassr takohet me Shabab Al-Ahli të Dubait në një rund paraprak të plejofit të Ligës së Kampionëve të Azisë.
Duke pasur parasysh shpenzimet e mëdha që klubet e Arabisë Saudite i bënë në këtë afat kalimtar të verës, atëherë ato vështirë se do të mund të ndalen në synimin për të triumfuar në këtë garë. Al-Nassr përfundoi i dyti në ligën e Arabisë Saudite edicionin e kaluar, por që kur nënshkroi me pesë herë fituesin e “Topit të Artë” në dhjetor, ka shtuar më shumë yje këtë verë në ekip. Marcelo Brozoviq, Sadio Mane, Alex Telles dhe Seko Fofana kanë ardhur përkatësisht nga Interi, Bayern Munich, Manchester United dhe Lens. Ndërsa, ekipit pritet t’i shtohet edhe mbrojtësi i Manchester Cityt, Aymeric Laporte për ta bërë favoritin kryesor të Championsit të Azisë. Klubi ka humbur dy ndeshjet e para të edicionit të ri të Ligës Profesionale Saudite dhe Shabab Al-Ahli mund të jetë kampion i Emirateve të Bashkuara Arabe, por Al-Nassr ende shihet si një favorit i fortë për të kaluar në fazën e grupeve. Ndeshja e eliminimit do të zhvillohet në shtëpinë e Al-Nassr, në Riad.
“Në të kaluarën, vetëm klubet japoneze dhe koreano-jugore mund të konkurronin me klubet saudite, por këtë edicion vështirë se do të mund dikush t’u bëjë ballë në Champions pas shpenzimeve marramendëse”, tha Roel Coumans, i cili la postin e tij si trajner i klubit të Arabisë Saudite, Abha në verë. “Hendeku i skuadrave të tjera të Championsit me ekipet saudite do të bëhet gjithnjë e më i madh”.
Gjatë kohës së tij me Abha, taktikani holandez u mësua me rolin e autsajderit, ndërkohë që merrej me lojtarë si ata të Al-Nassr.
“Tani, nga dhjetë ndeshje në Ligën e Kampionëve të Azisë, tetë do të fitohen nga skuadrat saudite dhe kjo është më e sigurt. Ekipeve të tjera, krahas përgatitjes së mirë dhe besimit, u duhet edhe pak fat për t’i mposhtur ato”, u shpreh Coumans.
Nëse Al-Nassr mposht Shabab Al-Ahli, do t'i japë Arabisë Saudite katër skuadra në fazën e grupeve të Championsit që fillon në shtator dhe ato do të paraqesin kundërshtarë të frikshëm për pjesën tjetër të pretendentëve të kontinentit. Al-Hilal, i cili ka katër tituj aziatikë, ka nënshkruar me superyllin brazilian Neymar dhe sulmuesin e Fulhamit, Aleksander Mitroviq javën e kaluar. Al-Ittihad në radhët e veta ka shtuar sulmuesin Karim Benzema, si dhe mesfushorët N’Golo Kante e Fabinho. Më herët në muajin gusht, forca e re e skuadrave kryesore të Arabisë Saudite ishte e qartë për të gjithë në Kupën e Klubeve Arabe, ndërsa rivalët nga Egjipti, Maroku, Algjeria dhe gjetkë në rajon luftuan për të konkurruar. Arabia Saudite dominoi turneun me 16 ekipe, me tre nga katër përfaqësueset që arritën në gjysmëfinale. Al-Nassr ngriti trofeun, duke mposhtur rivalin e qytetit, Al-Hilal në finale me Ronaldon që përfundoi si golashënuesi më i mirë i turneut. Me ndarjen e Ligës së Kampionëve të Azisë në dy zona gjeografike deri në finale, ka pak shpresë për fuqitë lindore. Uraëa Reds e Japonisë mundi Al-Hilalin në finale në maj, por duhet të mposht ekipin Lee Man të Hong Kongut për të kaluar në fazën e grupeve këtë herë. Incheon United i Koresë së Jugut takohet me Haiphong të Vietnamit. Kina do të shpresojë që Shangai Port dhe Zhejiang të kalojnë në fazën e grupeve me fitore ndaj kundërshtarëve nga Tajlanda, BG Pathum United dhe Port përkatësisht. Megjithatë, për momentin, fokusi është në Riad dhe nëse Ronaldo, i cili fitoi Ligën e Kampionëve të UEFA-s me Manchester Unitedi dhe katër me Real Madridin, mund ta udhëheqë ekipin e tij të ri drejt një çmimi tjetër kontinental.