Sport

Mancini thotë se yjet e futbollit do t’i ndihmojnë lojtarët arabë

Selektori i ri i Arabisë Saudite, Roberto Mancini, po mbështet në fluksin e fundit të yjeve botërorë drejt ligës së mbretërisë së pasur me naftë në synimin për të ndihmuar lojtarët vendas të përmirësohen. Cristiano Ronaldo dhe fituesi i ”Topit të Artë”, Karim Benzema, kryesojnë projektin miliarda dollarësh që ka nisur në Ligën Pro Saudite.

“Nëse doni të merrni një lojtar të mirë, duhet të paguani. Është e rëndësishme që lojtarët e shquar i janë bashkuar ligës saudite dhe paguhen shumë, sepse ata i ndihmojnë lojtarët këtu të përmirësohen”, tha Mancini të hënën gjatë prezantimit të tij.

Federata e Futbollit të Arabisë Saudite (SAFF) njoftoi se Mancini nënshkroi kontratë katërvjeçare, deri në Kupën e Azisë 2027, të cilën do ta organizojë pikërisht Arabia. Paga vjetore e Mancinit si selektor i Arabisë Saudite do të jetë 25 milionë euro.

Ndeshjet e para të Mancinit në krye të Arabisë Saudite janë kundër Kosta Rikës më 8 shtator dhe Koresë së Jugut katër ditë më vonë. Të dyja janë miqësore dhe zhvillohen në stadiumin “St. James Park” të Newcastle Unitedit, ekip që është në pronësi të sauditëve. Kupa e ardhshme e Azisë, e organizuar nga kampioni në fuqi, Katari, është në janar.

Mancini ka thënë se synimi i tij është triumfi në këtë turne, të cilin Arabia Saudite nuk e ka fituar prej vitit 1996.

“Qëllimi ynë është të fitojmë Kupën e Azisë për herë të parë në 27 vjet”, tha Mancini. “Ne e dimë se ka skuadra favorite si Japonia, Koreja e Jugut dhe Australia, por ne po shkojmë atje me qëllimin për ta fituar atë garë”.

58-vjeçari Mancini befasoi futbollin italian kur u largua nga posti i trajnerit të Italisë 15 ditë më parë, duke i dhënë fund një mandati me ulje dhe ngritje, që përfshin titullin e Kampionatit Evropian dhe dështimin për t’u kualifikuar në Kupën e Botës “Katari 2022”.

“Kam filluar të flas me federatën në mes të gushtit, kështu që është normale që disa nga ndihmësit e mi nuk e dinin për këtë situatë”, tha Mancini. “Kjo është arsyeja pse ata nuk janë ende këtu. Disa prej tyre duhet të nxitojnë dhe t'i kryejnë gjërat në Itali, por ne jemi mjaft këtu për të filluar punën”.

Presidenti i federatës arabe, Yasser Al Misehal, i dhuroi Mancinit një fanellë të Arabisë Saudite me numrin “2027” në të, që nënkupton kohëzgjatjen e kontratës së trajnerit italian. Debutimi i Mancinit si trajner i Italisë në vitin 2018 ishte pikërisht ndaj Arabisë Saudite, të cilën e mposhti 2:1 në miqësore.

“Që atëherë ky ekip është përmirësuar shumë, por ekziston potenciali për të bërë edhe më mirë”, tha Mancini.

Tekniku italian vlerësoi “punën optimale” të paraardhësit Herve Renard, i cili dha dorëheqjen në mars për të marrë përsipër ekipin e futbollisteve të Francës, pasi udhëhoqi Arabinë Saudite drejt fitores mahnitëse ndaj Argjentinës në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës të vitit të kaluar.

“Stafi im dhe unë kemi shumë për të mësuar, por kam besim se në fund do të bëjmë një punë të shkëlqyer”, tha Mancini. “Ne mund të përmirësohemi, jam i sigurt për këtë”.