Shqipëria ka forcuar vendin e parë në grup për kualifikimet e “Euro 2024”, ndërsa synon që këtë cikël eliminator ta mbyllë si e para në Grupin E. Kështu kanë insistuar futbollistët Qazim Laçi e Ernest Muçi, në konferencën e mbajtur të dielën. “Kuqezinjtë” të enjten mbrëma mposhtën Çekinë për të bërë një hap tjetër të madh drejt kualifikimit në Evropianin e vitit të ardhshëm. Në fakt, Shqipëria me një këmbë është kualifikuar dhe pjesëmarrjen do ta konfirmojë muajin e ardhshëm, në të cilin i luan dy ndeshjet e fundit të këtij cikli eliminator. Përballet me Moldavinë në udhëtim dhe Ishujt Faroe në shtëpi, ndërsa i mjaftojnë vetëm dy pikë prej këtyre ndeshjeve. Ndaj Çekisë, Shqipëria triumfoi me rezultatin bindës 3:0 dhe i prinë grupit me 13 pikë të mbledhura, katër më shumë se Polonia që është e dyta. Çekia ka 8 pikë dhe një ndeshje më pak të luajtur. Pas triumfit ndaj Çekisë, mbrojtësi Laçi ka thënë se në kampin kuqezi tashmë nuk ka presion.
“Jemi pak të çliruar sepse ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për të marrë tre pikët dhe për të krijuar shkëputje në pikë përkundrejt Polonisë dhe Çekisë. Ne jemi gjithmonë me këmbë në tokë, s’ka mbaruar gjë akoma. Kanë ngelur dhe dy ndeshje për t’u kualifikuar në Evropian”, tha Laçi. “Objektivi i parë ishte kualifikimi në Evropian. Tani si objektiv të dytë kemi vendin e parë dhe për atë do të luftojmë”.
Laçi ka folur në prag të ndeshjes miqësore ndaj Bullgarisë, të cilën Shqipëria e luan të martën në Tiranë prej orës 18:00. Ai theksoi se këtë ndeshje nuk e sheh miqësore, por të rëndësishme sikur kualifikuese. Shtoi se është një mundësi e mirë për lojtarët që nuk kanë pasur shumë minuta në kualifikime, ndërsa u bëri thirrje tifozëve që ta mbushin stadiumin “Air Albania”.
“Jemi të gjithë të rëndësishëm për ekipin. Edhe ndeshje miqësore, edhe ndeshje kualifikuese trajneri ka besim te të gjithë lojtarët. Jam dakord me ju edhe për ne që nuk kemi shumë minuta me ekipin kombëtar është si një ndeshje zyrtare për ne dhe prandaj do ta marrim seriozisht. Kjo miqësore do të jetë gjë shumë e mirë për ne”, u shpreh Laçi.
Edhe sulmuesi Muçi, i cili debutoi te Shqipëria kundër Çekisë, tha se dëshira e të gjithë futbollistëve ishte kualifikimi në Evropian, që do të konfirmohet muajin tjetër. Duelin me Bullgarinë, Muçi nuk e sheh miqësore, por e vlerëson si duel të rëndësishëm për Shqipërinë. Shtoi se duan ta vazhdojnë festën e nisur ndaj Shqipërisë, së bashku me tifozët.
“Që nga fillimi i kualifikimeve, të gjithë e kemi pasur objektiv Evropianin dhe jam shumë i lumtur që morëm një fitore shumë të madhe me Çekinë. Do të fokusohemi në dy ndeshjet e mbetura pasi duam të jemi në vendin e parë të grupit”, tha Muçi.
Edhe
Te Shqipëria të motivuar për ndeshjen ndaj Italisë
Megjithatë, para ndeshjeve të nëntorit, Muçi insistoi se fokusi i Shqipërisë është te përballja me Bullgarinë.
“Të them të drejtën këtë ndeshje nuk e shikojmë shumë miqësore, e shikojmë më shumë si një ndeshje zyrtare. Shpresoj që të luajmë sa më mirë dhe të paraqitemi sa më mirë përballë tifozëve tanë. Kështu që do të jetë një ndeshje që do të luftojmë shumë dhe do të duam që ta fitojmë. Ne do të japim më të mirën në këtë ndeshje, të vazhdojmë festën për fitoren me Çekinë”.
Të dy futbollistët, po ashtu, patën fjalë të mëdha për selektorin Sylvinho, i cili sipas tyre po bën një punë të madhe. Sipas Laçit, i cili luan te Sparta e Pragës, Sylvinho ka bërë që te Shqipëria të ketë më shumë pozitivitet si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Ndërsa, Muçi, i cili aktivizohet te Legia e Varshavës, shtoi se braziliani është trajner shumë i mirë pasi u ndihmon lojtarëve të kenë paraqitje të mira si për klubet e tyre ashtu edhe te Shqipëria.