Vitin e kaluar Edvin Kurtulushi luajti numër të madh ndeshjesh si mbrojtës i krahut të djathtë.
Por, para fillimit të edicionit të ri në elitën e futbollit suedez, ish-futbollisti i U21 të Kosovës dhe tani i Përfaqësueses së Suedisë, ia ka bërë të qartë trajnerit të Hammarbyt se dëshiron të luajë vetëm si qendërmbrojtës.
“Unë jam qendërmbrojtës dhe trajneri duhet të më shohë si të tillë. Mund të luaj për disa ndeshje, por unë jam qendërmbrojtës dhe dua të luaj në atë pozitë”, ka thënë të enjten Kurtulush, shkruan “fotbollskanalen”.
Ai ka treguar se nuk ka folur shumë me trajnerin Marti Cifuentes, ndërsa ka shtuar se është i përqendruar te skuadra ku është aktualisht.
“Është ndjenjë fantastike të jesh në rrethin e Hammarbyt. Ndihem rehat, pa stres”, ka thënë Kurtulushi.
22-vjeçari ka 56 paraqitje në elitën e futbollit të Suedisë, ndërsa ka realizuar dy gola dhe dy asistime.