Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kurtulush thotë se është kërcënuar pasi zgjodhi Suedinë para Kosovës

Futbollisti Edvin Kurtulush kishte bërë bujë në maj të këtij viti kur zgjodhi të luante për Suedinë e jo për Kosovën. Ai ishte ftuar nga Kosova A, por ndërkohë mori ftesë nga Suedia dhe vendosi për përfaqësuesen e vendit ku është rritur.

Mbrojtësi Kurtulush ka luajtur me sukses për U21 të Kosovës, ndërsa kur erdhi koha për të vendosur për përfaqësuesen seniore në lojë hyri Suedia. Dhe ndonëse e ftoi edhe Kosova, ai vendosi për Suedinë.

Kurtulushi të hënën është grumbulluar sërish me Suedinë, për ndeshjet me Serbinë dhe me Slloveninë që i takojnë Ligës së Kombeve. 22-vjeçari ka folur sërish për reagimet që u bënë pasi vendosi për Suedinë.

Kurtulushi ka luajtur 12 ndeshje për Kosovën U21 nga viti 2020 deri në këtë vit. Në disa prej ndeshjeve ishte edhe kapiten. Kur Suedia e pa rrezikun për ta humbur një lojtar të talentuar e ftoi në përfaqësuesen A.

Kurtulushi luan për Hammarbyn në elitën e Suedisë, ndërsa vlerësohet lart për potencialin që ka.

Edhe Kurtulush i lumtur për debutimin te Suedia Sport Kurtulush i lumtur për debutimin te Suedia

“Qartë se ishte vështirë pasi kam lidhje me të dyja (Suedinë dhe Kosovën v.j). Por më pas është dashur të mendoja se çka ndien zemra ime dhe çka është më mirë për mua. Dhe më pas vendimi ishte për Suedinë. Mendoj se ata atje është dashur të pranonin vendimin tim. Nuk mund t’i bëj të gjithë të lumtur. Duhet të shikoj se çka është e drejtë dhe e mirë për mua. Kjo dukej e drejtë”, ka thënë Kurtulushi në një intervistë të publikuar në “fotbollskanalen.se”.

Ai është pyetur se çka vendosi.

“Jam i lindur dhe i rritur këtu. Kam bërë gjithë edukimin në shkollë dhe futboll këtu. Kam gjetur sigurinë time këtu. Kryesisht ishin këto. Përzgjedhësi Janne Andersson bën punë të mirë dhe ata luajnë futboll të mirë që më intereson. Kështu që zgjodha Suedinë”, ka shtuar Kurtulushi.

Mediumi suedez ka komentuar se ka pasur kritika të shumta nga Kosova pas vendimit të mbrojtësit. Kurtulushi ka ndier presionin atëherë.

“Jam munduar vetëm të mbyllë sytë për atë që kanë shkruar. Nuk është diçka prej të cilës përfitoj. Vetëm injoroj dhe vazhdo para me jetën”.

Ai është pyetur se sa është relevante të njoftohet policia kur gjërat shkojnë shumë larg.

“Qartë se është relevante. Ata (nga federata dhe klubi v.j.) më kanë pyetur se si ndihem. Por kam ndier se nuk ka pasur aq kërcënime të rrezikshme që të vijnë në shtëpinë time apo të bëjnë ndonjë marrëzi. Ishte thjesht një urrejtje e panevojshme”, thotë Kurtulushi.

Edhe Kurtulush: Zemra ime vendosi për Suedinë Sport Kurtulush: Zemra ime vendosi për Suedinë

Ai nuk ka dashur t’i drejtohej policisë.

“Po. Por nuk kam dashur të fokusohem shumë në këtë. Kam dashur të fokusohem në futboll. Kam mundur të raportoja në polici, por nuk kam mundur ta shtyja veten ta bëja këtë”.

Kurtulush ka theksuar se për herë të parë i ka ndodhur kjo. Thotë se nuk ishte i frikësuar, por pak nervoz. Thotë se asnjëherë nuk mund ta dish se çfarë janë njerëzit.

Lidhur me debutimin te Suedia, Kurtulushi thekson se ishte një ëndërr e realizuar. Ai debutoi ndaj Serbisë më 9 qershor. U aktivizua si zëvendësues. Ndaj Norvegjisë më 12 qershor, startoi.

Tani Suedia luan ndaj Serbisë më 24 shtator në Beograd. Më 27 shtator e pret Slloveninë. Ai është pyetur për debutimin ndaj Serbisë.

“Po, ishte pak e veçantë. Ka të bëjë me atë që ata na shanin ne shqiptarëve. Ishte e veçantë dhe kënaqësi të përballesha me ta”, thotë Kurtulushi.

Edhe Kurtulush e vlerësonte “shans” ftesën nga Shpresat e Kosovës, tani refuzon të luajë për përfaqësuesen A Sport Kurtulush e vlerësonte “shans” ftesën nga Shpresat e Kosovës, tani refuzon të luajë për përfaqësuesen A

Vetëm pasi ftesa e Kosovës shkoi në klubin e Kurtulushit, suedezët reaguan. Ata ishin të frikësuar se do ta humbnin një lojtar me potencial. Me Kurtulushin kishte komunikuar direkt përzgjedhësi Andersson.

“Nëse doni vërtet diçka ju bëni çdo gjë për ta marrë atë. Vërtet kam ndier se Suedia ka bërë çdo gjë për të më afruar, për të më bindur. Kjo është ajo që mund të bëj federata, të tregoj që jeni lojtar interesant. Këtë mendoj se e ka bërë. Fitova shumë besim te Janne Andersson dhe përfundova duke zgjedhur Suedinë”, ka theksuar Edvin Kurtulushi.