Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kurtulush i lumtur për debutimin te Suedia

Edvin Kurtulush është i lumtur për debutimin te përfaqësuesja e Suedisë në futboll. Mbrojtësi 22-vjeçar të enjten mbrëma luajti për Suedinë, që u mposht 1:0 nga Serbia në Solna. Ndeshja i takoi Grupit 4 të Ligës B të Ligës së Kombeve.

Kurtulush hyri në lojë në minutën e 42-të në vend të Joakim Nilssonit. Me gjithë humbjen, paraqitja e Kurtulushit është vlerësuar.

“Ndihem mirë që më në fund kam kompletuar debutimin. Nuk ishte rezultat i mirë, por në aspektin personal ndihem mirë”, ka thënë Kurtulush të premten për mediat suedeze.

Kurtulush ishte kapiten i Kosovës U21 në gjashtë ndeshjet e fundit. Te Kosova U21 ishte prej lojtarëve më të rëndësishëm deri në mars të këtij viti. Ka luajtur 12 ndeshje.

Për ndeshjet e qershorit, Kurtulush, që është i lindur e i rritur në Suedi, mori ftesë nga Kosova A. Ndërkohë në lojë hyri Suedia që shfaqi interesim për lojtarin. Dhe Kurtulush vendosi të pranonte ftesën e Suedisë dhe kështu të braktiste Kosovën. Pasi nuk kishte debutuar në nivelin senior, ai e kishte të drejtën të ndryshonte përfaqësuesen. Dhe këtë e bëri.

“Jam ndier mirë. Mbrojtja ishte stabile, ndërsa topin e kemi mbajtur mirë. Jo keq për ndeshje debutuese”, ka theksuar Kurtulush, që tani po luan për Hammarbyn në nivel klubesh.

Ai ka pranuar se ishte pak nervoz para se të hynte në fushë. Por me të shkelur fushën çdo nervozë i është larguar. Tani Kurtulush më nuk ka të drejtë të ndryshojë përfaqësuesen. Pra deri në fund të karrierës mund të luajë vetëm për Suedinë.

“Nuk ka rëndësi edhe nëse nuk do të luaja. Unë kam zgjedhur Suedinë”, ka shtuar Kurtulush, që ka folur për “fotbollskanalen.se”.

Ai ka thënë se Serbia ka shënuar prej rastit të vetëm.

“Te Serbia ka lojtarë të mirë, por edhe ne jemi të mirë. Jemi paraqitur mirë. Pos golit nga korneri, Serbia nuk ka pasur asnjë situatë të rrezikshme, pos goditjeve nga distanca. Ne kemi pasur kontroll të mirë”, ka theksuar mbrojtësi me prejardhje nga Kosova.

Ish-ylli i Suedisë, Fredrik Ljungberg, ka vlerësuar paraqitjen e Kurtulushit. Sipsa Ljungbergut, Kurtulushi ka ofruar mënyrë tjetër të lojës te Suedia dhe ka sjellë freski.

“Jam impresionuar me mënyrën se si ai luan futboll”, ka thënë Ljungberg.

Edhe të tjerë analistë suedezë kanë vlerësuar paraqitjen e Kurtulushit. Ai është i lumtur për vlerësimet që mori, ndërsa ka premtuar paraqitje edhe më të mira.

Artikuj të ngjashëm