Futbollisti i Hammarbyt të Suedisë, Edvin Kurtulus, pritet të largohet në fund të këtij viti. Mediumi suedez “Expressen” ka shkruar të premten se Bologna e elitës së futbollit të Italisë është interesuar për shërbimet e qendërmbrojtësit që përfaqëson Suedinë.
Ish-kapiteni i Kosovës U21, 23-vjeçari Kurtulus ishte afër transferimit tek austriakët e Sturm Gratzit verën e kaluar, por mbrojtësi i talentuar refuzoi ofertën.
“Expressen” po ashtu ka bërë të ditur se janë edhe disa skuadra të tjera të huaja, që kanë shprehur interesim për të, por Bologna është më së afërmi për ta transferuar Kurtulusin. Bologna në edicionin aktual është në vendin e gjashtë në Serie A. Kurtulus iu bashkua Hammarbyt nga Halmstadi para edicionit 2022, dhe ka zhvilluar 65 ndeshje. Kurtulus ka katër paraqitje për Suedinë.