Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kthimi i mrekullueshëm i Cazorlas

Pas përfundimit të lojës, Santi Cazorla uli poshtë çorapet e verdha, përpara se t'i heqë këpucët e futbollit me ngjyrë të zezë, të cilat i la në fushën e stadiumit “Saint-Michel” në juglindje të Francës.

Cazorla ende po refuzon t'i varë këpucët në gozhdë. Ai shënoi një gol për barazimin e Villarrealit në një miqësore, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. Për ish-mesfushorin e Arsenalit kjo ishte paraqitja e parë zyrtare prej 19 tetorit të vitit 2016. Cazorla pas kësaj paraqitjeje është optimist për edicionin 2018/19 me fanellën e Villarrealit.

Pas gati dy vjetësh, dhjetë operacioneve dhe paralajmërimit se vështirë se do të mundë të ecë përsëri, Cazorla po luan dhe po përparon. Paraqitjen e fundit, ai e pati të mërkurën. 33-vjeçari, në muajin maj të këtij viti u largua nga Arsenali për t'u kthyer tek ish-ekipi i tij, Villarreal. Trajneri Arsene Wenger lëndimin e lojtarit e kishte përshkruar si “më të tmerrshmin që e ka parë”.

Kur Cazorla i kishte thënë se gjasat janë të vogla që të luante, Wenger ishte përgjigjur: “Shpresoj të jesh gabim”.

Megjithatë, Cazorla po kthehet gradualisht dhe çdo ditë e më shumë po përparon në fushë. Ai deri më tash ka regjistruar nëntë paraqitje parasezonale me Villarrealin, ekip që i ka ofruar kontratë dyvjeçare.

“Kurrë nuk do të mund t'ia shpaguaj Villarrealit për atë çfarë ka bërë për mua. Fillimisht më ofroi mundësinë për të më rikuperuar, pastaj më ofroi mundësinë që të provohem dhe tash më ka ofruar kontratë. Jam shumë i lumtur”, pranon Cazorla, që luajti katër vjet te Villarreali (2007-2011) përpara se të transferohej te Malaga e më pas tek Arsenali, ku qëndroi gjashtë sezone (2012-2018) ... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)