Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Editorial

Heroina e luftës me kancerin

KOHA

Nuk e kisha menduar ndonjëherë që edhe lufta me kancerin mund të nxjerrë heronj. Të tillë që zëri u jehon përtej vdekjes dhe lufton për të tjerët që përballen me betejat e njëjta.

Të paktë janë ata njerëz që kanë forcë e guxim të luftojnë në dy fronte – të jenë qytetarë aktivë në kërkim të të drejtave të veta e në të njëjtën kohë edhe pacientë me sëmundjen më të pamëshirshme.

Heroina që e njohëm sot nuk bëri luftë politike, ajo kërkoi atë që i takonte me ligj si një qytetare e thjeshtë e me zë. Kërkonte ilaçin që vetë shteti e futi në Listë Esenciale. Një medikament që e dinte se nuk do ta shëronte, por që deri në frymën e fundit do t’ia zbuste dhimbjen, t’ia shtonte ndonjë ditë jetë e t’ua lehtësonte familjarëve brengën e padurueshme të pamundësisë për t’i ndihmuar.

Mediat dhe shoqatat e kanë mision në thelbin e ekzistencës së vet që heronjve të tillë, por edhe atyre që nuk flasin, t’u japin krah që ata ta dinë se e kanë një mjet për të komunikuar e kërkuar. Këtë mision nuk ka mundur dhe nuk do të mundet asnjëherë asnjë pushtet ta nëpërkëmbë. As me komunikata nga zyrat e institucioneve publike dhe as me fjalime në Kuvend – në shtëpinë e popullit. Tentimi për ta bërë këtë është ironik.

Ata që paguhen nga taksat e qytetarëve të sëmurë e të shëndoshë për punën që bëjnë, e që e kanë për obligim t’i blejnë barnat me para të taksave të qytetarëve të sëmurë e të shëndoshë, duhet të japin arsye e jo arsyetime, duhet ta kërkojnë problemin dhe zgjidhjen brenda vetes, jo te zërat që flasin.

Edhe Pacientja që vdiq vazhdimisht denoncoi mungesën e barit Palbociclib – Vitia s’i tregon arsyet e mungesës Arbëri Pacientja që vdiq vazhdimisht denoncoi mungesën e barit Palbociclib – Vitia s’i tregon arsyet e mungesës

Nuk e kisha menduar ndonjëherë që zëri i një heroine do të kumbonte më shumë se çfarëdo reagimi që do të dija ta shkruaja si përgjigje ndaj zyrtarëve që na sulmojnë pse raportuam, që përpiqen ta manipulojnë atë që kemi shkruar dhe që kurrë nuk i kthejnë përgjigjet që ua kërkojmë. Atyre që mburren me buxhetin që kanë ndarë, por nuk turpërohen me mungesën e barnave.

Në tri dekadat e KOHËS, shëndetësia ka qenë njëri prej sektorëve kyç të saj. Kjo nuk do të ndryshojë. Pushtetet shkojnë e vijnë. Ne mbesim.