Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacientja që vdiq vazhdimisht denoncoi mungesën e barit Palbociclib – Vitia s’i tregon arsyet e mungesës

Klinika e Onkologjisë

Foto: Driton Paçarada

Me kritika për mungesën e barnave që shteti obligohet t’i sigurojë falas është përballur në Kuvend ministri Arben Vitia. Aty, ai nuk shpjegoi arsyet e mungesave, por u mor me raportimin e KOHËS. Deklaratat e vetë pacientes, të dhëna disa muaj para vdekjes, dëshmojnë se ajo kishte mbetur pa terapi dhe se gjendja shëndetësore po i përkeqësohej

“Pra, një muaj e gjysmë, gati dy muaj, jam pa terapi dhe s’kam bërë zgjidhje kurrgjë. Tash ato dhimbjet kanë filluar me m’u shfaqë ma shumë, se unë jam me metastaza. Fillova me pas  ndikim shumë të mirë prej kësaj terapie, e tash, për shkak të mungesës, dhimbjet kanë filluar me m’u shfaqë. Domethënë, këto pasojat e tjera s’po muj me i përballu. Po mundohem me i përballu, po s’po mundem. E kam marrë pesë muaj, e tash është muaji i gjashtë që kam pasë me marrë më 10 maj. Për pesë muaj kam pasë sukses, ka stagnu, nuk është rritë. E bana rezonancën dhe ka stagnu, nuk kam pasë rritje. Tash nuk e di çka bahet në trupin tem. Unë s’kam mundësi as me ble. Në Kosovë nuk kam këqyrë, por në Kroaci dhe në Slloveni, disa të afërm më kanë tregu se kushton 1.900 euro në Slloveni, 1.850 euro në Kroaci. Unë nuk i kam kushtet. Burri punon për 500 euro. A me jetu, a me ble barna”. Kjo deklaratë e dhënë më 29 qershor është e pacientes me kancer K. H., e cila vdiq para pak ditësh.

Këtë shqetësim, pacientja me kancer e kishte ndarë me KOHËN në qershor, kur në Klinikën e Onkologjisë mungonte medikamenti Palbociclib. Ky bar është në listën e barnave esenciale që duhet siguruar falas nga shteti, por mungon edhe sot.

Të mërkurën, KOHA raportoi për vdekjen e saj. Shoqata e Pacientëve me Kancer të Gjirit, “Renesansa”, njoftoi se pacientja humbi betejën me kancerin, pasi për katër muaj mbeti pa këtë medikament.

“Pardje, pacientja e cila ishte me terapi Palbociclib dhe ndihej mirë, por qe Palbociklibi mungoi afër 4 muaj dhe e ndjera nga pamundësia për ta siguruar nga çmimi i lartë i këtij bari, mbeti 4 muaj pa terapi duke shpresuar çdo ditë që do të ketë. Por, mungesa e terapisë asaj i solli metastaza të reja në tru. Dhe... Në fund humbi jetën. Ajo kishte dëshire të madhe të jetoj, të gëzohet për çdo ditë. Ne si Renesansa kemi reaguar për këtë publikisht, pacientja po ashtu ka dhënë deklaratën e saj publikisht”, thuhet në reagimin e shoqatës të mërkurën.

KOHA të mërkurën ka kontaktuar “Renesansën”, për një prononcim në lidhje me rastin, por që nga shoqata nuk kanë pranuar të flasin me arsyen se nuk janë familjarë të pacientes.

Rasti nxiti reagime të mëdha edhe në Kuvend, në seancën e së enjtes.

Deputetë të opozitës kërkuan llogari nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, për mungesën e barnave në Klinikën e Onkologjisë.

E, Vitia shfrytëzoi foltoren e Kuvendit për t’u marrë me raportimin e jo me arsyet e mungesës së barnave.

“Jo vetëm gazetarja, por edhe të tjerë dalin dhe këtë konstatim e bëjnë nga një status që ka qenë në Facebook, pa bërë as pyetje për shoqatën e as për institucionet. Siç duket, ose e prirë për klikime, ose e shtyrë nga dikush tjetër”, ka thënë Vitia.

Deklarimin e shpërndau në rrjete sociale edhe Qeveria, duke e cilësuar raportimin si keqinformim.

Sa herë KOHA ka raportuar për këtë rast, ka adresuar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë për mungesën e medikamentit. Ky institucion ka thënë se përgjegjëse për këtë është SHSKUK-ja, e cila nuk ka dhënë asnjëherë përgjigje.

“Lidhur me çështjen e ngritur nga ana juaj për produktin Palbociclib në Klinikën e Onkologjisë, ju informojmë se ky produkt sigurohet nga ShSKUK-ja. Andaj, për përgjigje në pyetjet tuaja lidhur me furnizimin, disponueshmërinë apo çështje të tjera që kanë të bëjnë me këtë produkt, ju lutemi t'i drejtoheni SHSKUK-së, si organizatë në vete buxhetore”, thuhet në një përgjigje të MSH-së, në gusht.

E SHSKUK-ja nuk kishte kthyer përgjigje as më 29 qershor, 13 korrik e as 12 më gusht.

Ndërkaq, pas vdekjes së pacientes, ky institucion ka shpërndarë reagimin e drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, i cili ka mohuar se pacientët kanë mbetur për katër muaj pa medikamentin Palbociclib.

“Klinika e Onkologjisë sqaron se nuk ka pacientë që kanë mbetur për katër muaj pa terapinë me Palbociclib siç shkruhet, për shkak të mungesës së këtij bari në Klinikë. Furnizimi me këtë medikament ka ndjekur dinamikën e paraparë të furnizimeve spitalore për të gjithë pacientët që trajtohen në institucionin tonë”, ka thënë Ilir Kurtishi, drejtor i Onkologjisë.

Por, vetë pacientja, tani e ndjerë, edhe në korrik e gusht e pati konfirmuar për KOHËN se nuk e ka marrë terapinë.

“Jo, zgjidhje s’kam bërë, se të hënën kam m’u kthy në Prizren për t’i bërë analizat, me shiku sa m’u kanë rritur vlerat ose a i kam hup a kanë stagnu. Edhe të mërkurën kam me shku në Onkologji se kam kontroll, se e marr edhe Zometën. E veten çdo ditë e ma lodhët, jam t’u e ndie, çdo ditë e ma keq, po çka me ba tash, të shoh në bazë të analizave”, ka thënë më 13 korrik pacientja që vdiq këtë javë.

Mungesa e terapisë ishte denoncuar nga ajo edhe më 12 gusht.

“Jo s’kishin ardhur as sot, i kam siguruar po s’i kam siguruar origjinal i kam siguruar kësi tjerash, sot i kam përdorë po s’po ndihna mirë hiç, i pyeta te mjekët që mora udhëzimin me ba rrezatime se kam metastazë shumë... Kur mora udhëzimin edhe e pyeta a ka ardhur Pablociclibi tha nuk ka ardhë hala edhe nuk na dha kurrfarë date të caktuar as kur jepet kurgjo nuk na tha”, ka thënë më 12 gusht pacientja që vdiq këtë javë.


DEKLARATAT:


Furnizimi me Palbociclib ishte rikthyer para nëntë javësh, pas nënshkrimit të kontratës dhe liferimit të barit. Por, medikamenti mungon sërish, nga kjo javë.

Në SHSKUK nuk e kanë mohuar këtë.

“Bazuar në informacionet e pranuara nga Barnatorja Qendrore ju informojmë se për produktin farmaceutik Palbociclib 125 mg, tab kemi kontratë aktive dhe furnizimi realizohet sipas planifikimit dhe sasive të kontraktuara. Menaxherja e kontratës ka proceduar fletëporosinë për sasinë përkatëse dhe aktualisht jemi në pritje të furnizimit nga operatori ekonomik”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Zyrtarët e Ministrisë vazhdimisht kanë thënë se buxheti për barnat esenciale që sigurohen falas, është rritur. Por, pavarësisht kësaj, medikamentet kanë munguar.

KOHA ka pyetur në Ministrinë e Financave, por në përgjigje i është thënë që duhet pyetur Ministrinë e Shëndetësisë.

Edhe pacientët e tjerë janë detyruar të paguajnë nga xhepi për barna që duhet të jenë të qasshme përmes sistemit publik shëndetësor.

Avastina është një tjetër terapi që ka munguar për gati dy muaj dhe çmimi i saj arrin deri në 1 mijë euro. Për rreth dy muaj ka munguar edhe Dabrafenibi, i cili kushton deri në 1 mijë e 500 euro.

Nga mungesa e barnave janë prekur edhe 177 pacientë të dializës. Sipas pacientëve, prej tre muajsh mungojnë edhe tabletat Sevelamer, një kuti e të cilave kushton rreth 90 euro.

Nga muaji maj deri në shtator ka munguar edhe Bikaderi, terapi që përdoret për trajtimin e pacientëve me kancer të prostatës.

Ndërkaq, në Klinikën e Onkologjisë, për më shumë se një muaj ka munguar edhe Dabrafenibi, terapi që përdoret për trajtimin e disa llojeve të kancerit, përfshirë disa raste të kancerit të lëkurës. Për ta siguruar vetë, pacientët duhet të paguajnë deri në 1 mijë e 600 euro.