Ardian Kozniku beson se sulmuesi i krahut, Arbër Hoxha do të jetë i suksesshëm me fanellën e Dinamo Zagrebit.
Hoxha do t’i bashkohet Dinamos në këtë afat kalimtar nga Slaven Belupo pasi klubet tashmë kanë arritur marrëveshjen.
Kozniku, i cili gjatë karrierës si futbollist aktiv ka luajtur me sukses për Dinamon dhe Hajdukun, nuk ka as dyshimin më të vogël në cilësitë dhe aftësitë e Hoxhës. Këtë edicion, Hoxha ka pasur paraqitje të mira me Slaven Belupon, duke shënuar pesë gola dhe tri asistime në 20 paraqitje.
“Hoxha është një lojtar shumë cilësor, pasi e njoh prejse ka luajtur për Ballkanin. Duke pasur parasysh cilësitë e tij, kalimi te Dinamo nuk është i rastësishëm dhe besoj se te kjo skuadër Hoxha do ta shfaq potencialin e tij”, ka thënë Kozniku të martën për “Index.hr”.
“Jam i bindur se te Dinamo do të tregojë paraqitje të mira. Kalimi i tij te Dinamo është i mirë për Kosovën apo Shqipërinë, varësisht se cila do ta ftojë për shkak se besoj se do të marrë ftesë pas këtij transferimi. Ai ka cilësi të lojtarit modern, ndërsa trajneri i Dinamos ka insistuar në transferimin e tij”.
Edhe
Hoxha mund të transferohet në Poloni
Kozniku është pyetur edhe për transferimin eventual të Elvir Gashijanit nga Llapi te Hajduku, ndërsa ka shtuar se nuk është aspak çudi që lojtarët e rinj nga Kosova po zhvendosen në Kroaci.
Sipas tij, në Kosovë po punohet mirë dhe se klubet tashmë po e dëshmojnë veten edhe në Evropë, siç është rasti me Ballkanin, ekip që për dy edicioni rresht është paraqitur në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.