Futboll

Hoxha: Kalimi te Dinamo, momenti më i mirë i jetës sime

Arbër Hoxha

Arbër Hoxha ka dhënë një intervistë të gjatë të hënën për kanalin zyrtar të Dinamo Zagrebit.

Gjatë intervistës Hoxha ka thënë se dita më e mirë e jetës së tij ishte kur nënshkroi kontratë me Dinamo Zagrebin.

“Kur nënshkrova për Dinamon ishte dita më e mirë e jetës sime. Dinamo është klub i madh, me tifozë të shkëlqyer dhe një përgjegjësi të madhe”, ka thënë Hoxha.

Në pjesën e parë të edicionit aktual në Kroaci, Hoxha shënoi disa gola jashtëzakonisht të rëndësishëm për Dinamon. Por ai e veçon njërin prej tyre.

“Goli kundër Rijekës ishte i veçantë. Ishte minuta e 80-të dhe një gol për tri pikë. Momente të tilla mbeten përgjithmonë në kujtesë”, është shprehur Hoxha.

Sulmuesi i krahut ka shënuar gjashtë gola, ndërsa ka kontribuar edhe me tri asistime në 17 ndeshje në elitën e futbollit kroat.

Hoxha foli edhe për emocionet që përjeton kur shënon para një stadiumi të mbushur me tifozë.

“Kur sheh tribunat dhe tifozët duke kërcyer, është një ndjenjë e jashtëzakonshme”, ka theksuar Hoxha.

Edhe pse është i kënaqur me paraqitjen e deritashme të ekipit, Hoxha e di se cili është qëllimi kryesor i Dinamos.

“Gjëja më e rëndësishme është të jemi të parët në kampionat dhe ta sjellim titullin përsëri në Zagreb. Ky është prioriteti i klubit”.

Reprezentuesi i Shqipërisë u transferua në vitin 2024 te Dinamo Zagrebi nga Slaven Belupo. Në Kroaci ka luajtur edhe për Lokomotivën e Zagrebit, ndërsa në Kosovë ndër të tjera ka luajtur për Ballkanin dhe Prishtinën.

27-vjeçari ka treguar për rutinën e tij ditore në Zagreb e po ashtu edhe për ndeshjen që Shqipëria e luajti kundër Kroacisë në Evropianin që u mbajt në vitin 2024 në Gjermani.

Hoxha ishte inkuadruar në minutën e 85-të në ndeshjen që kishte përfunduar baras, 2:2.

Ai tregon për atmosferën e zjarrtë të krijuar nga shikuesit e Shqipërisë dhe Kroacisë në stadiumin “Volksparkstadion” të Hamburgut.

“Ka qenë një ndeshje e çmendur. Kur kemi mbërritur në stadium, gjysma e tribunave në stadium ishin të mbushura me shikues të Kroacisë dhe gjysma me përkrahës të Shqipërisë. Të gjithë ishin të bashkuar dhe ishte e jashtëzakonshme”, ka thënë Hoxha.

Hoxha për Shqipërinë ka luajtur 21 ndeshje. Ka një gol të shënuar.

Para se t’i bashkohej Shqipërisë, i luajti tri ndeshje për Kosovën.