Dinamo Zagrebi do të ketë ndeshje të rëndësishme të enjten mbrëma në Ligën e Evropës. Nga ora 18:45 luan në udhëtim te Lille, në ndeshjen e xhiros së pestë të garës së dytë të UEFA-s për nga rëndësia.
Dinamo Zagrebi me fitore do të bënte hap të madh drejt fazës nokaut. Aktualisht i ka shtatë pikë në vendin e 12-të, një më shumë se Lille që zë vendin e 19-të.
Skuadra më e madhe kroate e ka gjetur formën duke i fituar dy ndeshjet e fundit. Por këtë nuk do të mund ta arrinte pa Arbër Hoxhën.
Dinamo e mposhti Karlovcin në Kupën e Kroacisë dhe mori pikët e plota ndaj Varazhdinit. Sulmuesi i Shqipërisë, që aktivizohet në krahun e majtë, shënoi dy gola ndaj Varazhdinit në “Maksimir”.
Mediumi kroat “Index” ka bërë shkrim të gjatë për 27-vjeçarin, të mërkurën. Ka shkruar se “raketën” te Dinamo e kishte kërkuar me ngulm trajneri Sergej Jakiroviq, në janar të vitit 2024.
Hoxha nuk kishte formë të mirë në fillim, por ka vendosur disa ndeshje të mëdha. Hoxha ishte afër largimit në verë, por ishte presidenti Zvonimir Boban që e bindi atë të qëndronte në skuadër.
“Kam biseduar me Zvonimir Bobanin që ishte i interesuar për qëndrimin tim në klub. Nuk donte që të largohesha nga Dinamo. Ai vazhdimisht më thoshte se kisha kualitete dhe se ato do të shfaqeshin, besoi në mua. Ai më bëri me dije se mund ta luaja sezonin më të mirë në karrierë”, kishte deklaruar Hoxha për “24sata.hr”.
Tre muaj e gjysmë pas nisjes së edicionit të ri, vendimi i Hoxhës për qëndrim në “Maksimir” doli të jetë shumë i rëndësishëm për Dinamon.
Ai ka pasur rritje të madhe si futbollist. Kjo rritje nisi në derbin në “Polud” ndaj Hajdukut. Hoxha kishte pranuar topin 60 metra larg portës së Hajdukut. Në sprint i kaloi dy futbollistë kundërshtarë dhe shkoi deri në zonë. Më pas, në mënyrë të përkryer shënoi për 1:0.
“Index” ka shkruar se Hoxha bëri gjithçka mirë, duke krijuar vazhdimisht rrezik për kundërshtarët.
“Pavarësisht se ai ndonjëherë mund t’i nervozojë tifozët, shpesh është i vetmi futbollist në fushë që mund ta sjellë sulmin në nivel shumë të lartë dhe të zbulojë diçka nga asgjëja. Ai këtë e ka bërë kundër Rijekës në ‘Maksimir’. Hoxha është mjeshtri i kaosit që i nevojitet Dinamos”, e ka mbyllur shkrimin mediumi kroat.
Hoxha ka luajtur gjithsej 80 ndeshje me Dinamon, ndërsa ka dhjetë gola e nëntë asistime. Ai është i rëndësishëm edhe te Shqipëria, me të cilën e ka një gol të shënuar në 21 paraqitje.
Hoxha është zhvilluar si futbollist tek Istogu, ndërsa ka luajtur edhe te Prishtina, Besa e Pejës, Ballkani, Lokomotiva e Slaven Belupo.