Sport

Kosova U-21 me shumë debutues, synon ta fitojë ndeshjen ndaj Shqipërisë

Përzgjedhësi i përfaqësueses U-21 të Kosovës në futboll, Rafet Prekazi, do të pajtohej me çdo rezultat në fund të ndeshjes kundër Shqipërisë. Por për të do të ishte e papranueshme nëse lojtarët të premten nuk do ta jepnin maksimumin. Ndeshja në mes Shpresave të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë do të zhvillohet të premten nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Është ndeshja e parafundit për ciklin aktual kualifikues për “Euro 2021”.

Prekazi në konferencën për media të mbajtur të enjten ka theksuar se qëllimisht ka ftuar shumë lojtar të rinj. Plani i tij është formimi i një ekipi të ri për ciklin e ardhshëm kualifikues.

“Primare te Kosova është ta japin maksimumin, derisa në gjëra të tjera si ato taktike është vështirë të komponohen brenda dy-tri ditësh. Ky nuk është arsyetim, por duhet ta japin maksimumin, ndërsa sa i përket kualitetit të ndeshjes, edhe po të bëjnë disa gabime, pres mbështetje, sepse ka lojtarë që do të jenë për herë të parë në fushë me fanellën e Kosovës. Është situatë e pazakontë, por sërish them primare është ta djersitin shumë fanellën e Kosovës”, ka thënë Prekazi.

Në fakt, shumë lojtarë kanë munguar shkaku i situatës me koronavirus. Nga grupi aktual janë në dispozicion të gjithë, pasi rezultatet e testeve të bëra kanë dalë negative si për lojtarët ashtu edhe stafin. E nga ky fond i lojtarëve Prekazi pret fitore.

“Kjo gjeneratë ka një të ardhme të mirë, janë pa përvojë, por të talentuar. Të gjitha mbesin në teori nëse nuk luajnë bashkë. Ka edhe lojtarë që në klubet tona nuk luajnë, por unë i kam ftuar, pasi kam besim dhe mendoj se nuk kam gabuar. Ata do ta kenë rastin për t’u përballur kundër kundërshtarëve më të fortë se rëndom. Unë mendoj se deri tash e kanë arsyetuar emrin, pasi ekipi i kaluar e ka dëshmuar veten, kurse tash pres ta tregojnë edhe këta të rinj”, është shprehur Prekazi.

Kosova ka humbur ndeshjen e parë ndaj Shqipërisë me rezultatin, 2:1. Por futbollisti i Kosovës, Arton Zekaj, pret ta fitojnë ndeshjen në Prishtinë për të vazhduar me fitore në kuadër të Grupit C.

“Jemi përgatitur në çdo aspekt për këto dy ndeshje. Ne gjithmonë synim e kemi fitoren, kështu do të jetë edhe në këto dy ndeshje. Do ta japim maksimumin për të vazhduar me rezultate pozitive”, ka thënë Zekaj.

“Dardanët” e rinj më 17 nëntor do ta luajnë ndeshjen e fundit kundër Turqisë në Samsun. Kosova është në vendin e katërt në grup me nëntë pikë, dy më pak se Shqipëria që është një pozitë më lart. Anglia është kualifikuar në Evropianin e vitit të ardhshëm si e para me 22 pikë, kurse në vendin e dytë është Austria. Kundërshtarja e fundit e Kosovës, Turqia, zë vendin e pestë me shtatë pikë, derisa Andorra e fundit me pesë pikë.

Ndërkohë, të enjten mbrëma stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Kosovës, nën urdhrat e Xhemo Mustedanagiq e ka zhvilluar edhe Shqipëria. Mustedanagiq do ta drejtojë Shqipërinë për shkak se përzgjedhësi Alban Bushi ka dalë pozitiv në testin për koronavirus.

Asnjë prej kombëtares së Shqipërisë nuk është paraqitur në konferencën për media. Më 17 nëntor, Shqipëria do ta luajë ndeshjen e fundit në udhëtim ndaj Anglisë.