Është bërë një muaj që kur përfaqësuesja U21 e Kosovës në futboll e mbylli ciklin e dytë të saj kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2021”. Ciklin kualifikues e mbylli me dy humbje. Në nëntor humbi nga Shqipëria (1:0) në Prishtinë dhe 3:0 në Samsun ndaj Turqisë. Me përfundimin e këtij cikli kualifikues ishte edhe fundi i kontratës së përzgjedhësit Rafet Prekazi. Mirëpo, ende pa përfunduar dy ndeshjet e fundit nisën të qarkullonin emrat e disa trajnerëve të tjerë që mund ta zëvendësojnë Prekazin në krye të ekipit U21 të Kosovës, ndër ta edhe Shefki Kuqi. Por Prekazi pret që t’i drejtojë “Dardanët” e rinj edhe për një cikël tjetër.
Prekazi të mërkurën për KOHËN vendosi të flasë për herë të parë pas publikimit të lajmit se nuk do t’i vazhdohet kontrata nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).
“Tjetër kush më vlerëson mua. Tash është demokraci dhe mund ta shpreh secili mendimin e vet, por zyrtarisht unë asgjë nuk kam pranuar. Nuk e di a ka ndikuar lajmi për mua te lojtarët, por jo që nuk ka qenë reale, por as njerëzore. Unë nuk dua të merrem me gjëra negative. Nuk kam folur edhe kur lojtarët brenda dy vjetësh nga ekipi U21 kanë kaluar tek ekipi A. Rezultatet janë treguesi më i mirë, e po ashtu edhe lojtarët e dalë nga ekipi U21 prej të cilëve Kosova do të varet në dhjetë vjetët e ardhshëm”, ka thënë Prekazi.
Kosova kampanjën e dytë kualifikuese për Evropian e mbylli në vendin e pestë me nëntë pikë të grumbulluara në një grup me Anglinë dhe Austrinë. Në grup Kosova e kishte edhe Shqipërinë, Turqinë e Andorrën. Prekazi thotë se është i gatshëm ta vazhdojë projektin e tij për formimin e një skuadre të fortë për ciklin e ri kualifikues.
“Nuk varet nga unë, por unë kam pasur besim. Kur kam nisur me Kosovën nuk kam mundur tetë lojtarë t’i bëja dhe kam luajtur me kampionin e botës, Gjermaninë. Po të mos kisha besim nuk do ta merrja as atëherë dhe nuk do ta pranoja këtë post. Për mua nuk është asgjë problem për sa i përket futbollit. Unë gjithmonë kam qenë i gatshëm ta drejtoj Kosovën”, ka thënë Prekazi.
Prekazi insiston se ende nuk është kontaktuar nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës. Kontakti thotë se i ka munguar si për të mirë ashtu edhe për të keq.
“Nuk kam biseduar me drejtuesit e FFK-së. Përpara kam qenë në kontakt, por këto problemet e koronavirusit kanë bërë që nuk kam pasur kontakt as për të mirë, e as për të keq. Nuk kam pasur asnjë kontakt pas ndeshjes së fundit. I kuptoj shkaku i problemeve që kanë hasur. Unë kam punuar me nder dhe mburrem me atë që kam bërë, rezultatet tregojnë vetë. Kam pasur informata prej nga kanë ardhur këto thashetheme, por nuk dua të hyj në atë nivel dhe t’i përmend”, është shprehur Prekazi.
Ai e udhëhoqi Kosovën U21 edhe ciklin parë kualifikues, derisa shkëlqeu në një grup me Gjermaninë, Norvegjinë, Republikën e Irlandës, Izraelin dhe Azerbajxhanin. Përfundoi në pozitën e pestë, por fitoi plot 12 pikë, tri më pak se Norvegjia, që e mbylli ciklin në vendin e dytë.
Plani që s’i eci
Në fakt, Kosova e nisi mirë edhe ciklin e saj të dytë. Në dy ndeshjet e qershorit të vitit 2019 arriti po aq fitore. Mposhti Andorrën 4:0 në udhëtim, derisa në shtëpi triumfoi edhe ndaj Turqinë 3:1. Por më pas pësoi pesë humbje rresht. Fitoren pas pesë disfatave e arriti kundër Andorrës më 13 tetor. Megjithatë, Kosova gjatë vitit 2020 pati goxha vështirësi në grumbullimin e lojtarëve shkaku i situatës me koronavirus. Në grumbullimet e fundit shumë lojtarë u infektuan me koronavirus, e shumë të tjerë nuk liroheshin nga klubet e Evropës ku bëjnë karrierë shkaku i masave nga shtetet ku jetojnë. Prekazi ishte detyruar që të ftonte shumë lojtarë që janë pjesë e klubeve të Kosovës, madje të moshës 18 e 19-vjeçare. Prekazi thotë se është i kënaqur me angazhimin e lojtarëve të rinj, por ai thekson se u ka munguar eksperienca. Ai është krenar që nga Kosova U21 shumë futbollistë kanë arritur të ftohen edhe nga përfaqësuesja “A”, si dhe të bëjnë karrierë jashtë vendit. E për disa të tjerë thotë se kanë bërë hapa para në karrierë duke luajtur për Kosovën.
“Pas kualifikimeve të ciklit të kaluar, ku ka pasur lojtarë që kanë depërtuar në klube të Evropës dhe te përfaqësuesja A, është normale që te Kosova U21 bëhet ndërrimi i gjeneratës. Por, për fat të mirë kemi qëndruar jashtëzakonisht mirë me këtë gjeneratë, ku qysh në ndeshjet e para kemi treguar rezultate të mira me dy fitore. Por, për fat të keq shkaku i pandemisë na ndodhi ndërprerja e ndeshjeve. Pas asaj është dashur të bënim një ekip pasi shumë raste patëm me koronavirus, e po ashtu me lëndime të shumta”, ka theksuar Prekazi.
Ai ngul këmbë se Kosova është dëmtuar më së shumti nga përfaqësueset e tjera prej pandemisë COVID-19.
“Koronavirusi ka ndikuar te të gjithë, por te ne më shumë. Megjithatë, ne formuam një ekip, kemi treguar lojëra të mira, por na mungonte komponimi i ekipit ashtu siç e filluam. U shkapërderdh ekipi në një formë dhe është dashur të merrnim lojtarë të rinj. Jam i kënaqur me angazhimin, por dallon angazhimi me kualitetin e lojës kur ndërrohen shumë lojtarë. Kjo na ka ndodhur neve”, ka shtuar trajneri nga Mitrovica. “Nisëm të kompletohemi disi dhe erdhën këto ndeshjet e fundit për shembull kundër Anglisë, pjesa e parë përfundoi pa gola. Por, në pjesën e dytë erdhi në konsideratë mungesa e përgatitjes te disa lojtarë që i morëm nga klubet tona. Megjithatë, jam i kënaqur që edhe shumë lojtarëve që janë pjesë e klubeve të Kosovës u erdhi rasti të luajnë në ndeshje të forta. Në ndeshjet e fundit na u larguan Mirlind Daku dhe Lirim Kastrati dhe nuk kishim lojtarë adekuatë për t’i zëvendësuar. Por, ne zgjodhëm të ftonim krejt lojtarët e lindur në vitet 2000 dhe 2001 për të përgatitur një ekip për ciklin e ardhshëm kualifikues. Në katër ndeshjet e fundit ka pasur shumë lojtarë 18 e 19-vjeçarë”.
Misioni i përmbushur
Prekazi në të kaluarën ka qenë pjesë e disa skuadrave në Kosovë. Ai vlerëson se është ende i ri të tërhiqet. Beson se me gjeneratën e re mund të arrijë shumë. Ai ngul këmbë se gjatë kësaj kohe të pandemisë dhe me vështirësitë që ka hasur ka bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme.
“Unë kam thënë edhe më herët, mirëpo prej 2-3 planeve, sepse nuk e kemi pritur koronavirusin dhe nga situata më e keqe e zgjodha më të mirën. E kam bërë përzgjedhjen e lojtarëve për ciklin e ardhshëm. Ndeshjet e fundit diku 6-7 lojtarë që nuk na janë liruar të vijnë. Thjesht kemi punuar ta bënim më të mirën. Këto probleme vështirë ka qenë t’i përballonim. Kemi sjellë disa lojtarë, Eris Abedini shkoi në La Liga. Ka edhe të tjerë që kanë pasur ngritje pikërisht duke luajtur me ne”, është shprehur ai.
Ai mburret me arritjet e Përfaqësueses dhe ngritjen e disa lojtarëve. Madje shkon edhe më larg duke insistuar se lojtarët që kanë dalë prej gjeneratës së U21 do të jenë faktorë të rëndësishëm në dhjetë vjetët e ardhshëm për përfaqësuesen “A”.
“E kam përmbushur misionin. E kemi bërë në heshtje. Kemi nisur mirë dhe kam menduar se do të jemi të mirë dhe të fortë, por na kanë ndodhur shumë gjëra me virus. Ndaj Anglisë vetëm një ka luajtur këtu titullar. Nuk do të ankohem, nuk jam ankuar asnjëherë, sepse duhet të gjendesh, por pasi ishte situata e tillë vendosa të grumbulloja lojtarë që për dy vjetët e ardhshëm do të jetë një listë e gjerë e lojtarëve”, ka thënë Prekazi.