Sport

Një gjeneratë tjetër i jep fund aventurës te Shpresat Kosovës

Asnjë prej lojtarëve dhe anëtarëve të stafit të përfaqësueses U-21 të Kosovës në futboll nuk ka dalë të hënën pozitiv në testin për koronavirus. “Dardanët” e rinj kanë udhëtuar për në Turqi, ndërsa shpresojnë të kthehen me rezultat pozitiv nga ky vend. Edhe barazimi ndaj Turqisë do të ishte i pranueshëm, thonë futbollistët Muharrem Jashari e Edison Kqiku.

Për Jasharin, Kqikun dhe shtatë lojtarë të tjerë që janë aktualisht pjesë e grumbullit, do të jetë ndeshja e fundit me Shpresat e Kosovës. Për Kosovën U-21 me ndeshjen ndaj Turqisë mbyllet cikli kualifikues për “Euro 2021”. Ndeshja Turqi – Kosovë luhet të martën në Samsun nga ora 17:00.

Jashari ka theksuar se ndeshja kundër përfaqësueses turke do të jetë emocionuese.

“Është ndeshja e fundit për mua në përfaqësuesen U-21, sepse jam i vitit 1998 dhe më nuk kam të drejtë të luaj për këtë kategori. Është emocion i madh, sepse kam kaluar mjaft mirë te ekipi i Shpresave. I kam luajtur tetë ndeshje, derisa të nëntën do ta kem kundër Turqisë. Turqia në fillim nuk ka pasur rezultate të mira, por tani ka bërë një ekip shumë të fortë dhe do të jetë ndeshje e vështirë për ne. Shpresoj të kthehemi me rezultat pozitiv. Edhe barazimi do të ishte i arsyeshëm, sepse Turqia ka një ekip shumë të fortë”, ka thënë Jashari.

Përveç Jasharit dhe Kqikut, ndeshja e fundit do të jetë edhe për Ardit Nikën, Florian Smakiqin, Ramiz Bytyqin, Blendi Idrizin, Blend Baftiun, Valon Hamdiun dhe Valdrin Mustafën.

Edhe Kqiku ka theksuar se për gjithë futbollistët ndeshja kundër Turqisë do të jetë e rëndësishme dhe emocionuese.

“Do të jetë një ndeshje e rëndësishme për të gjithë, pasi Turqia ka një ekip mjaft të mirë dhe besoj se do të jetë ndeshje e fortë. Shpresoj të jap më të mirën secili futbollist që do të jetë në fushën e lojës. Si për shumë lojtarë edhe për mua do të jetë ndeshja e fundit dhe sigurisht do të jetë mjaft emocionuese. Shpresojmë në më të mirën për ta mbyllur këtë cikël me rezultat pozitiv”, është shprehur Kqiku.

Jo vetëm për futbollistët pritet të jetë ndeshja e fundit. Edhe për përzgjedhësin e Kosovës, Rafet Prekazi, mund të jetë e tillë. Është raportuar se teknikut mitrovicas nuk do t’i vazhdohet kontrata për ta udhëhequr ekipin e Shpresave. Prekazi nuk ka dashur të flasë për shkak të zhvillimeve të fundit. Por ai më herët ka vlerësuar gati në çdo paraqitje publike futbollistët e rinj. Nga FFK-ja nuk kanë komentuar për raportimet e fundit për ndryshime te U-21.

Kosova ishte paraqitur mirë në ciklin e parë kualifikues për Evropian. Ndërkohë ciklin e dytë e nisi me dy fitore, kundër Andorrës me rezultatin 4:0 dhe ndaj Turqisë, 3:1. Por më pas “lidhi” pesë humbje, para fitores 1:0 ndaj Andorrës më 13 tetor. Së fundi pësoi edhe nga Shqipëria në Prishtinë, javën e kaluar (1:0).

Kosova është e parafundit (5) në grup me 9 pikë nga nëntë ndeshje. Turqia është e katërta me 10 pikë.

Menaxheri i Kosovës U-21, Zgjim Sojeva, insiston se pandemia prishi planet në këtë cikël. Por ai thotë se futbollistët kanë treguar karakter.

“Kanë dhënë shumë për Kosovën, kur dihet që i kemi filluar shumë mirë këto kualifikime, por pastaj kemi pasur shumë lëndime dhe në fund na ka dëmtuar rëndë edhe COVID-19. Na ka ndalur projektin e nisur në qershor të vitit 2019, pasi ka pasur besim për kualifikim. Nuk duhet harruar kontributi i shumë lojtarëve si Eris Abedinit, dy Lirim Kastratëve, Mirlind Dakut, Arbenit Xhemajlit, Gëzim Pepsit, Fuad Rahimit, Blendi Baftiut, Kreshnik Hajrizit dhe shumë të tjerëve që nuk do t’i kemi në ciklin tjetër. Pas paraqitjes te Kosova, shumë prej tyre kanë nënshkruar edhe me klube të reja në liga të forta”, ka thënë Sojeva.

Gjendja te U-21 nuk është më e mira. Por një fitore për fund do të ishte me shumë rëndësi për të gjithë.