Sport

KOK-u i drejtohet Presidencës lidhur me pjesëmarrjen në “Pekini 2022”

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) të enjten pasdite u është drejtuar me një letër Presidencës, Kryeministrisë dhe Ministrisë së Sportit. Prej këtyre institucioneve, KOK-u ka kërkuar të deklarohen nëse do të marrin pjesë apo do t’i bojkotojnë lojërat olimpike dimërore “Pekini 2022”.

Kërkesa e KOK-ut është bërë një ditë pasi nga Presidenca e Kosovës është njoftuar se presidentja Vjosa Osmani ka mbështetur vendimin e SHBA-së për bojkotim diplomatik të Kinës.

Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, të mërkurën tha se shkaku i shkeljes së të drejtave të njeriut nga autoritetet kineze, presidentja Osmani do t’i bashkohet bojkotit të Lojërave Olimpike në Pekin, pas SHBA-së, Australisë e Britanisë së Madhe.

Është sqaruar se bojkoti diplomatik nënkupton se ekipet garuese marrin pjesë në Lojëra, porse presidentja e Kosovës do t’i bojkotojë të gjitha ceremonitë dhe aktivitetet zyrtare për krerët e delegacioneve gjatë Lojërave Olimpike në Pekin.

Sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, ka konfirmuar për KOHËN se u është drejtuar të tri institucioneve për t’u deklaruar rreth pjesëmarrjes në “Pekini 2022”.

“Nuk kemi marrë përgjigje, meqë letra është dërguar vonë, por siç e dini presidentja ka deklaruar që do ta mbështesin bojkotin diplomatik, ndërsa ne kemi kërkuar që kryeministri, presidentja dhe ministri të deklarohen rreth bojkotit, se a do të marrin apo jo pjesë në Lojërat në Pekin. Besoj që duke marrë parasysh deklaratën e presidentes, të gjithë do të deklarohen që nuk do të marrin pjesë”, ka thënë Aliti të enjten në mbrëmje.

Lojërat Olimpike Dimërore nisin më 4 shkurt dhe përfundojnë më 20 shkurt të vitit të ardhshëm. Kosova ka vetëm një garues në Pekin. Është skitari Albin Tahiri që ka normë olimpike në katër disiplina të ndryshme. Tahiri, që jeton në Slloveni, Kosovën do ta përfaqësojë për herë të dytë në ngjarjen më të madhe të sporteve dimërore .

“Ne si Komitet jemi duke i ndjekur procedurat e KON-it dhe si të gjitha shtetet e tjera do të marrim pjesë si delegacion sportiv. Çdo vendim sa i përket përfaqësimit diplomatik nga instancat politike ne do ta respektojmë dhe mbështesim. Asnjë shtet nuk ka komentuar rrafshin sportiv. Besoj që Kosova do të jetë në një linjë me shtetet aleate në çdo fushë, duke u mundësuar sportistëve të marrin pjesë”, është shprehur Aliti.

Edhe në Federatën Skitare të Kosovës presin pjesëmarrjen e Tahirit në Lojërat Olimpike Dimërore.

“Ne jemi sportistë dhe nuk kemi të bëjmë me politikë, vetëm nëse shteti na dërgon ndonjë shkrim që nuk duhet as ne të marrim pjesë, atëherë jemi të detyruar ta respektojmë vullnetin e presidentes. Përndryshe Albini është duke u stërvitur maksimalisht. Është shumë mirë dhe në formë”, ka thënë kryetari i FSK-së, Milaim Kelmendi.

Skitari Tahiri ka thënë se është duke u përgatitur maksimalisht për ta përfaqësuar denjësisht Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore, që mbahen në kryeqendrën e Kinës.

“Mendoj se futja në top-30 në Pekin do të ishte një rezultat fantastik. E them këtë për shkak se në disiplinat alpine Kosova nuk është shtet që merr medalje dhe nuk kemi kushte për këtë. Në përgjithësi skijimi është një sport i shtrenjtë dhe shtetet me traditë të madhe zakonisht dominojnë. Ne jemi në fillim të zhvillimit të këtij sporti, por kjo nuk do të thotë se unë nuk do të jap gjithçka nga vetja. Do të shohim, ndoshta mund të jem befasia e Lojërave Olimpike”, ka deklaruar Tahiri.

Atë natyrisht do ta shoqërojnë disa zyrtarë nga KOK-u e FSK-ja.