Skitari i Kosovës, Albin Tahiri, është gati për ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore “Pekini 2022”.
Lojërat Dimërore që mbahen në kryeqendrën kineze, zyrtarisht do të nisin të premten me ceremoninë hapëse që zhvillohet pasdite, sipas orës lokale në Kosovë.
Tahiri së bashku me Kiana Kryeziun janë garuesit që do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë ngjarje të madhe sportive. Kjo është hera e parë që Kosova do të ketë dy skitarë në Lojëra. Para katër vjetësh në Olimpiadën Dimërore të mbajtur në PyeongChang të Koresë së Jugut ishte vetëm Albin Tahiri.
“Jam gati për ceremoninë hapëse dhe me padurim pres që me Kianën ta bartim flamurin me krenarinë dhe nderin më të madh”, ka thënë Tahiri 32-vjeçar për KOHËN, të enjten.
Tahiri ka thënë se është gati edhe për garën e parë zyrtare, atë të lëshimit, që do ta ketë të dielën paradite. Ai të enjten e ka mbajtur stërvitjen e parë zyrtare në lëshim. Ka përfunduar i 54-i prej 56 garuesve. Ai ishte prapa gati 13 sekonda prej zviceranit Stefan Rogentin që doli i parë në këtë stërvitje zyrtare. Tahiri do t’i ketë edhe dy stërvitje zyrtare, që sipas tij janë obligative.
“Ditët në vazhdim i kemi stërvitjet zyrtare në lëshim ku patjetër duhet të marrësh pjesë nëse dëshiron të garosh. Kështu janë rregullat”, është shprehur Tahiri, që prej së dielës është vendosur në Fshatin Olimpik dhe ka mbajtur edhe stërvitje të tjera jozyrtare për t’u përshtatur sa më mirë.
“Shtegu është shumë i vështirë dhe i akullt, ndërsa moti është shumë i ftohtë. Temperatura po shkon deri në minus 20 gradë Celsius, por po ia dalë. Prejse kam ardhur jam stërvitur çdo ditë dhe në shteg po i kaloj nga 5-6 orë”.
Para çdo stërvitjeje Tahiri duhet t’i nënshtrohet testimit për COVID-19 dhe vetëm pasi të rezultojë negativ ai mund të largohet nga Fshati Olimpik për të shkuar në shteg. Ai pranon se testimi i përditshëm për koronavirus është paksa monoton, por tashmë është pajtuar me një gjë të tillë. Para nisjes për në Pekin, Tahiri i ka bërë tri teste në Kosovë për t’u siguruar që nuk është i infektuar. Krahas testeve për koronavirus, do të duhet të jetë gati në çdo kohë edhe për testimin për doping. Ai të mërkurën i është nënshtruar testit të parë për doping.
“Çdo ditë e kemi nga një test për koronavirus dhe mund të them se tashmë jam adaptuar me këtë dhe po më duket si një gjë e zakonshme. Po ashtu, i kemi edhe testet e dopingut dhe tashmë e kam bërë një të tillë. Pra, testet janë përditshmëri këtu për të gjithë sportistët. Problemin më të madh po e kam me gjumin për shkak se ende nuk jam adaptuar si pasojë e zonës kohore”.
Rregullave strikte të organizatorëve të LOD “Pekini 2022”, sportistët duhet t’iu përmbahen në çdo kohë dhe në çdo hapësirë. Tahiri thotë se gjithçka është shumë mirë, por distanca është obligative dhe mbajtja e maskës po ashtu.
“Në Fshatin Olimpik është çdo gjë super. I kemi të gjitha, duke filluar nga palestra e fitnesit e deri te restoranti. Po ashtu, edhe dhomat janë shumë të mira dhe të përshtatshme. Megjithatë, atmosfera është paksa e zymtë shkaku i virusit dhe shqetësimeve të sportistëve nga frika se mund të dalin pozitivë dhe t’i humbin garat. Maska është obligative sikurse testimi, por edhe distancën duhet ta mbajmë patjetër. Ne shihemi me sportistët e tjerë, por patjetër duhet distancë të ketë në mes, sepse gjithçka është shumë strikte”, shtoi Tahiri. “Edhe në restorant secili ushqehet vetë, pra nuk guxojmë të jemi së bashku. Secili e ka një xham ndërmjet në restorant”.
Tahiri do të paraqitet në katër disiplina të skijimit alpin. Krahas lëshimit do të garojë edhe në kombinim alpin (10 shkurt), sllallom të madh (13 shkurt) dhe sllallom (16 shkurt). Ndërkohë, Kiana Kryeziu, që nesër do t’i nisë stërvitjet zyrtare, do të paraqitet në sllallom të madh, garë që mbahet më 7 shkurt. LOD “Pekini 2022” do të mbyllen më 20 shkurt.