Sport

Skitarët kthehen në Kosovë, vlerësojnë rezultatet e arritura në Pekin

Skitarët Kiana Kryeziu e Albin Tahiri vlerësuan paraqitjen që e kishin në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Lojërat në Pekin janë në fazën finale, ndërsa Kryeziu e Tahiri të premten mbrëma janë kthyer në vend.

Ata e kanë prezantuar Kosovën në garat e skijimit alpin në Lojërat Olimpike, ngjarjen më të madhe sportive. Kiana e Albini ishin larg zonës së medaljeve, por e kanë vlerësuar paraqitjen.

Kiana Kryeziu është në fillim të karrierës ndërkombëtare në skijim, ndërsa përvoja në Lojërat Olimpike Dimërore pritet t’i shërbejë shumë. Paraqitja përkrah skitareve më të mira në botë e ka motivuar skitaren e re kosovare.

“Karriera ime vetëm sa ka filluar, jam vetëm 17-vjeçare. Kam qenë një prej garueseve më të reja që ka marrë pjesën në Olimpiadë. Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme, diçka të cilën nuk do ta harroj kurrë. Kam qenë shumë e kënaqur me rezultatet që kam arritur. Për mua thjesht të jem pjesë e së njëjtës garë me idhujt e mi dhe të garoj me to, është një nder i madh dhe një nder historik të përfaqësoj Kosovën si femra e parë në Lojërat Olimpike Dimërore”, ka thënë Kryeziu me të arritur në Aeroportin e Prishtinës.

Kiana Kryeziu ka garuar në sllallom të madh, ndërsa u rendit e 49-ta. Ishte e fundit prej atyre që përfunduan të dy lëshimet, ndërsa gjithsej ishin 82 garuese në këtë disiplinë.

Ndërkohë Albin Tahiri është paraqitur në katër gara. Rezultatin më të mirë e kishte në kombinim alpin, ku u rendit i 15-ti. Në këtë disiplinë i la dy kinezë prapa.

Tahiri ka shprehur pretendimet që ta prezantojë Kosovën edhe në Lojërat e ardhshme Olimpike Dimërore, në vitin 2026. Ai ishte në ngjarjen e madhe edhe para katër vjetësh.

Tahiri, që jeton në Slloveni, është krenar me rezultatet në Pekin.

“Po ndihem për mrekulli. Siç e kam thënë edhe më herët, është nder për mua ta përfaqësoj Kosovën. Jam shumë krenar me rezultatet e arritura personalisht. Jam shumë i lumtur me rezultatet e arritura. Kësaj radhe nuk isha vetëm, por i shoqëruar nga kolegia ime Kiana. Sigurisht që çdo herë është e lehtë për mua që të marr pjesë në këto gara pasi tani është hera e dytë e për Kianën ka qenë pak më e vështirë pasi ka qenë hera e parë. Për mua ishte një garë e zakonshme dhe ndoshta herën tjetër do të bëjmë edhe më mirë”, ka thënë Tahiri.

Olimpiada e Pekinit përfundon të dielën. Deri më tani më e suksesshmja është Norvegjia me 15 medalje të arta. Norvegjezët gjithsej i kanë 34 medalje. Gjermania i ka 22 medalje gjithsej, prej tyre dhjetë të arta. E treta është SHBA-ja me 21 medalje gjithsej, prej tyre tetë të arta.