Ekipi olimpik i Kosovës të dielën është vendosur në një prej fshatrave olimpike në Pekin të Kinës. Janë skitarët Albin Tahiri e Kiana Kryeziu që përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore që fillojnë në Pekin më 4 shkurt.
Bashkë me dy skitarët, për në Pekin kanë udhëtuar edhe selektori Agim Pupovci dhe shefi i misionit, Bujar Turjaka. Lojërat Olimpik Dimërore përfundojnë më 20 shkurt.
Trajneri Pupovci ka folur për pritje të ngrohtë në Pekin. Ai tregon se udhëtimi ka qenë i gjatë, por i mirë.

“Me udhëtim kemi pasur fat dhe kemi kaluar shumë mirë. Në Stamboll kemi pritur nëntë orë për t’u nisur drejt Pekinit. Koha ka qenë shumë mirë dhe këtu kur kemi mbërritur kemi pasur një pritje shumë të mirë. Në aeroplan diku 70 për qind kemi qenë skitarë, trajnerë dhe zyrtarë të shteteve të ndryshme pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike Dimërore”, ka thënë Pupovi për KOHËN nga Pekini.
Para se të nisen nga aeroporti për në Fshatin Olimpik, skitarët i janë nënshtruar testit për koronavirus.
Trajneri Pupovci ka thënë se të gjithë kanë rezultuar negativë, ndërsa testit do t’i nënshtrohen çdo ditë gjatë qëndrimit në Pekin.
“Në Pekin na kanë pritur mirë. Kemi kryer të gjitha procedurat, kemi bërë testet, pastaj jemi drejtuar për në Fshatin Olimpik. E kemi pasur gjithë udhëtimin në mënyrë të organizuar”, ka theksuar Pupovci.
Skitari 32-vjeçar Tahiri do të paraqitet në katër disiplina. Ai do të garojë në sllallom, sllallom të madh, kombinim alpin dhe lëshim.
Për herë të parë Kosova në Lojërat Olimpike Dimërore do ta ketë edhe një skitare, 17-vjeçaren Kiana Kryeziu. Ajo do të paraqitet në sllallom të madh.
Të hënën skitarët nuk do të kenë stërvitje.
“Pekini është një qytet shumë i madh. Duket një qytet i bukur, ndërsa nesër do të dalim për t’u njoftuar me shtegun dhe për të bërë përgatitjet e skive dhe pasnesër fillojmë me përgatitje, Kiana në sllallom të madh, ndërsa Albini për garën e parë të lëshimit. Pres përfaqësim të mirë nga Albini dhe nga Kiana. Këtu është konkurrenca shumë e fortë, është ajka e skitarëve të botës që merr pjesë në Olimpiadë. Por unë pres një përfaqësim të mirë nga të dy skitarët”, është shprehur Pupovci.
Tahiri dhe Kryeziu para se të niseshin për në Pekin patën deklaruar se janë të gatshëm për Lojërat Olimpike Dimërore. Tahiri synon të jetë në mesin e 30 më të mirëve.
Vendin që synon Tahiri ia uron edhe trajneri Pupovci. Por ai thotë se e rëndësishme është që Kosova të paraqitet mirë me dy skitarët.
“Albini ka përvojë më të madhe dhe sigurisht që edhe mund të ketë plasman më të mirë, sidomos në disiplinat e shpejta ku edhe është më i mirë. Kiana merr pjesë për herë të parë dhe thuajse qëllimin e vet e ka arritur duke u kualifikuar me normë olimpike dhe tash në të ardhmen presim nga Kiana shumë më shumë. Këtë olimpiadë presim që ajo të jetë mirë”, ka thënë Pupovci.
Albin Tahiri e Kiana Kryeziu do ta bartin flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse.