Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Selektori Pupovci i kënaqur me paraqitjen e Kianës dhe Albinit

Selektori i Përfaqësueses së Kosovës në skitari, Agim Pupovci është ndarë i kënaqur me paraqitjen e Kiana Kryeziut dhe Albin Tahirit.

Ai ka thënë se për rezultate kulmore duhet edhe më shumë punë.

“E pash shtegun nga afër. Për ta ditur vlerën e Kianës dhe Albinit duhet ta shohësh vet shtegun dhe të jesh prezent në shteg. Jam i kënaqur me këto dy rezultate, megjithëse na duhet edhe më shumë punë për të shkuar më mirë, por sinqerisht ka qenë një shteg shumë i vështirë, si për Albinin ashtu edhe Kianën. Kam thënë edhe më herët që me kualifikimin në Lojërat Olimpike, Kiana e ka arritur synimin. Ajo mbajti veten në këtë shteg, pa marrë parasysh kohën, sepse koha vazhdon për t’u përmirësuar. Ka pasur një konkurrencë të fortë, pasi ka pasur garuese më të forta në botë dhe unë jam i kënaqur me këtë rezultat”, ka thënë Pupovci për Komitetin Olimpik të Kosovës.

Kryeziu e përfundoi garën në sllallom të madh e 49-ta nga 82 garuese. Nga 49 sa e përfunduan garën, Kryeziu ishte 46.50 sekonda prapa kampiones olimpike, suedezes Sara Hektor. Edhe Tahiri është ndarë tejet i kënaqur me rezultatin e arritur në garën e tij të parë në Lojërat e Pekinit.

Ai përfundoi i 35-ti prej 36 garuesve që arritën ta përfundonin garën e lëshimit të hënën, me kohë 1 minutë e 52.44 sekonda. Tahiri ishte 9.75 sekonda prapa zviceranit Beat Feuz që e fitoi medaljen e artë.

Për Tahirin, ky ishte rezultati më i mirë personal në Lojërat Olimpike Dimërore. Ai do të paraqitet edhe në disiplinën e kombinimit alpin, sllallomit dhe sllallomit të madh. Gara e kombinimit alpin do të mbahet të enjten.