Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tahiri tejet i kënaqur me rezultatin në lëshim

Skitari Albin Tahiri është ndarë tejet i kënaqur me rezultatin e arritur në garën e tij të parë në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit. Ai përfundoi i 35-ti prej 36 garuesve që arritën ta përfundonin garën e lëshimit të hënën, me kohë 1 minutë e 52.44 sekonda. Tahiri ishte 9.75 sekonda prapa zviceranit Beat Feez që e fitoi medaljen e artë.

Për Tahirin, ky ishte rezultati më i mirë personal në Lojërat Olimpike Dimërore ndërsa kjo është hera e dytë që ai paraqitet në këtë ngjarje pas asaj të mbajtur në vitin 2018 në PyeongChang. Në fakt, 32-vjeçari për KOHËN ka pranuar se po të mos i kishte bërë disa gabime në shteg, do të kishte kohë edhe më të mirë. Megjithatë, ka shtuar se do të përpiqet të përmirësohet në garat e disiplinave tjera që e presin. Ai do të paraqitet edhe në disiplinën e kombinimit alpin, sllallomit dhe sllallomit të madh.

“Pas kësaj gare, mund të them se jam shumë i kënaqur me rezultatin, pozita e 35 është shumë e mirë. Synimi im ishte të futem në mesin e 30 më të mirëve dhe jam aty afër”, ka thënë Tahiri.

“Mirëpo, me lëshimin nuk jam i kënaqur pasi kam pasur pak probleme dhe kam bërë disa gabime. Tash e kam parasysh se duhet të jem më i mirë në garën tjetër që më pret, atë të kombinimit aplin. Kështu që, po shpresoj që edhe në këtë disiplinë të kem një rezultat të mirë”.

Gara e kombinimit alpin do të mbahet të enjten.