Sport

Klubet po mbulojnë dështimet me dyshime ndaj lojtarëve

Agim Cana e përmendi mafinë dhe lëshoi lum akuzash në një fjalim emocional e spektakolar, në praninë e mediave, në zhveshtoren e skuadrës menjëherë pas ndeshjes. Më pas klubi që Cana drejton, Vëllaznimi i Gjakovës, doli me komunikatë ku akuzoi rëndë sërish arbitrin Mervan Bejtullahu dhe indirekt edhe Federatën e Futbollit të Kosovës.

Vëllaznimi kërkoi që hetuesit shtetërorë të merren me ndeshjen e barazhit ndërmjet Trepçës '89 e Vëllaznimit, të cilën gjakovarët e humbën 4:2 dhe kështu mbetën në Ligën e Parë. Në mbrëmjen e së dielës në një emision televiziv, Agim Cana, përsëriti akuzat e njëjta dhe madje shkoi një hap tutje. Shprehu dyshime për korrektësinë e portierit dhe kapitenit të Vëllaznimit, Altik Muhaxhiri. Për të tha se është portieri më i mirë në Kosovë, por kërkoi që Prokuroria ta hetojë, që edhe vetë Muhaxhiri të jetë më i qetë, shkruan sot Koha Ditore.

"Për mua është portieri më i mirë në Kosovë, pa diskutim. Në dy ndeshje me Trepçën pësoi tetë gola", tha ndër të tjera Cana, duke shtuar se për portierin dyshojnë edhe tifozët e Vëllaznimit. "Unë e di se ai po ndihet shumë keq, prandaj do të ishte mirë që Prokuroria të marrë masa, në mënyrë që edhe ai të jetë i qetë", ka shtuar Cana, një prej emrave që kishte lënë gjurmë si lojtar në futbollin kosovar.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)