Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Katari duhet t’i mbajë nervat përballë Senegalit

Ka shumë mundësi që gjërat të bëhen edhe më keq në Kupën e Botës për Katarin, nëse lojtarët e nikoqirit nuk mbajnë nervat kur përballen me kampionin e Afrikës, Senegali, në ndeshjen e tyre të dytë në grup.

“Ne zakonisht themi se mëson nga gabimet”, tha të enjten trajneri spanjoll i Katarit, Felix Sanchez. “Le të shpresojmë se e kemi çliruar veten nga i gjithë ky presion apo tension që e kishim në ndeshjen e parë”.

Katari është nikoqiri i parë që humbi ndeshjen hapëse të një Kupe Bote. U mposht nga Ekuadori 2:0 në Grupin A, të dielën. Kjo e vë në rrezik serioz që të jetë nikoqiri i dytë pas Afrikës së Jugut në vitin 2010 që eliminohet në fazën e grupeve.

Dueli mes Katarit dhe Senegalit nis në orën 14:00, të premten.

Në këtë ndeshje Katari ka rastin të tregojë se ka merituar një vend në Botëror edhe pse përballë ka një kundërshtar që në radhët e veta ka lojtarë nga top-ligat evropiane: Anglia, Spanja, Italia dhe Franca. Katari është kualifikuar automatikisht në Kupën e Botës si organizator dhe kjo është hera e parë që po paraqitet në këtë turne të madh futbolli.

“Le të luajmë në nivelin tonë më të lartë dhe të tregojmë se mund të garojmë në këtë turne përballë çdo kundërshtari, pavarësisht nga rezultati”, tha Sanchez.

Katari mund të jetë kampioni i Azisë në vitin 2019, por çdo anëtar i skuadrës luan për një klub në vend, që ndoshta është një tregues i hendekut mes tyre dhe standardit të kërkuar në një Botëror.

Sanchez sugjeroi se Kupa e Botës ishte pjesë e një projekti afatgjatë për të zhvilluar futbollin në vendin e Lindjes së Mesme.

“Ne jemi një vend i vogël me një popullsi shumë të vogël. Nuk e di nëse ka ndonjë vend tjetër që ka organizuar një Kupë Bote si Katari”, tha Sanchez. “Jam i bindur se pas Kupës së Botës, Katari do të vazhdojë të punojë në mënyrë që niveli i futbollit të vazhdojë të përmirësohet brenda mundësive dhe kufizimeve që kemi”.

Senegali gjithashtu dështoi në ndeshjen e parë, u mposht nga Holanda 2:0. Senegalit në turne i mungon ylli kryesor, Sadio Mane, që nuk është rikuperuar nga lëndimi. Ndërsa në duelin kundër Katarit do t’i mungojnë edhe mesfushori Cheikhou Kouyate e mbrojtësi Abdou Diallo për shkak të lëndimeve që i pësuan në ndeshjen hapëse.

“Senegali nuk pati paraqitje të dobët ndaj Holandës. Ne qëndruam fort përballë një prej skuadrave më të mira në botë, me lojtarë të klasit botëror”, tha trajneri i Senegalit, Aliou Cisse. “Jam shumë i lumtur me lojtarët e mi, shumë krenar për lojtarët e mi”.

Cisse tha se Diallo rifilloi stërvitjet të mërkurën dhe ka stërvitur edhe të enjten. Sipas tij, gjithçka “ka shkuar shumë mirë, shpresoj që ai të jetë në fushë ndaj Katarit”.

Cisse tha se fokusi për ekipin e tij ndaj Katarit është reparti i sulmit. Ai ka pritshmëri të mëdha për një kombinim të ri të linjës sulmuese të përbërë nga Ismaila Sarr, Boulaye Dia dhe Krepin Diatta.

“Ne duam të shënojmë dhe prej fillimit do ta kërkojmë golin. Duhet të jemi agresiv për ta dërguar topin në rrjetë. Sulmuesit tanë janë të aftë për të shënuar. Ata e kanë treguar këtë tashmë”, tha Cisse. “Unë jam i sigurt se ata do ta tregojnë përsëri ndaj Katarit”.

Sulmuesit nuk ia dolën mirë në ndeshjen e parë së bashku, pasi Mane mbeti jashtë. Por nëse e bëjnë kundër Katarit, siç pret Cisse, mund të jetë një ditë tjetër e gjatë dhe e vështirë në Kupën e Botës për nikoqirin.

Artikuj të ngjashëm