Futbollistët e Dritës menjëherë të mërkurën do të nisin përgatitjet për garat evropiane, përkatësisht për turneun preliminar të Ligës së Kampionëve.
Drita vetëm të dielën u stolis me titullin e kampionit për edicionin 2019/20 të Superligës së Kosovës. Trajneri Ardian Nuhiu u ka dhënë futbollistëve vetëm dy ditë pushim. Në vitet e kaluara pushim i skuadrës kampione pas përfundimit të edicionit ishte dukshëm më i gjatë. Por situata me pandemi ka ndryshuar gjërat këtë herë.
Nuhiu të hënën për KOHËN ka thënë se e ka parasysh që dy ditë pushim nuk janë të mjaftueshme, por situata e krijuar me COVID-19 ka bërë që pushimi të jetë thuajse formal.
Superliga e Kosovës ishte pezulluar në mesin e muajit mars për shkak të koronavirusit dhe rifilloi në ditët e para të qershorit, për të përfunduar vetëm më 26 korrik.
Drita në gjysmëfinale të turneut preliminar të Championsit do të përballet me kampionin e Andorrës, Inter Club d’Escalades, ndeshje që do të luhet më 8 gusht në Nyon të Zvicrës.
Ekspedita e Dritës për në qytetin zviceran do të niset një ditë para ndeshjes dhe testet për koronavirus do t’iu bëjë me të zbritur nga aeroplani. Zvicra nuk i pranon rezultatet e testeve nga Kosova.
Trajneri Nuhiu ka pranuar se ekipi i tij duhet të jetë i kujdesshëm maksimalisht për shkak të formatit të turneut preliminar, duke shtuar se nuk ka vend për gabime.
“Futbollistët i kanë vetëm dy ditë pushim për t’u relaksuar dhe pastaj të mërkurën do t’i kthehen punës. Nuk besoj se do të jetë ngarkesë për ta, duke pasur parasysh se po ndihen mirë dhe askush nuk është i lënduar. Kohën e kemi të shkurtër për shkak se pandemia na i ka vështirësuar shumë punët”, ka thënë Nuhiu, që ka folur edhe për kundërshtarin e parë në Champions.
“Kundërshtarin e njohim shumë pak, por në Ligën e Kampionëve nuk ka ekipe të dobëta për shkak se të gjithë janë kampion në vendet e tyre dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk guxojmë të gabojmë sepse nuk ka ndeshje kthyese”.
Nuhiu ka pranuar se gjatë kësaj periudhe do të kërkojë edhe ndonjë përforcim, por ka shtuar se gjëja kryesore është të ruhet grupi aktual i futbollistëve. Për Dritën, kjo është hera e dytë që luan në turneun preliminar të Championist, të cilin e pati fituar para dy sezoneve përpara se të eliminohej në raundin e parë kualifikues. Këtë herë, Nuhiu synon të shkoj një hap më larg.