Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Nuhiu: Jam i kënaqur me daljen në Evropë

Ardian Nuhiu, trajneri i skuadrës së kampiones së vitit të shkuar në Kosovë, Dritës, ka thënë se është mbyllur një vit pa e arritur objektivin, por që ka shtuar se është i kënaqur me arritjen e daljes në Evropë.

Drita e mbylli edicionin e sivjetmë me 76 pikë dhe do të luajë në parakualifikimet e Ligës së Konferencës.

“Ndeshjet e tilla janë të vështira në aspektin psikologjik për lojtarët. E menaxhuam mirë ballafaqimin, nuk rrezikuam për asnjë moment. Epërsinë që e kishim në pjesën e parë, e menaxhuam. Kemi mundur ta mbyllim ndeshjen më herët. Më vjen mirë që është fituar ndeshja dhe është arritur Evropa pas vitit shumë të vështirë. Nuk e morëm maksimumin edhe pse kemi udhëhequr gjatë gjithë kampionatit”, tha Nuhiu fillimisht.

Ai foli edhe për arsyet pse Drita nuk ka arritur të triumfojë sivjet.

“Ka qenë një vit i gjatë me pandemi. Kemi pasur lodhje, dëmtime të lojtarëve në pjesën kryesore të kampionatit dhe mbetëm pa forca. E kemi menaxhuar mirë megjithatë dhe i përgëzoj lojtarët për këtë. Do të vazhdoj të jem pjesë e klubit. Objektivi ka qenë titulli. Me këtë klub nuk më lidh vetëm kontrata, pasi kemi raporte të jashtëzakonshme dhe unë gjithmonë do ta bëj më të mirën. Liga e Konferencës do të na jap mundësi të kërkojmë më tepër, në Evropë varet prej shortit. Do të mundohemi të sjellim freski për t’u përgatitur sa më mirë për ta përfaqësuar futbollin kosovar në Evropë”, përfundoi trajneri shkupjan.