Sport

Pas përvojës në Champions dhe Ligën e Evropës, Drita do të testohet edhe në Ligën e Konferencës

Në shtator të vitit të kaluar për herë të parë Kosova kishte skuadër në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Ky sukses, i vlerësuar i madh në Kosovë, u arrit falë rrugëtimit që në garat evropiane e pati Drita e Gjilanit.

Paraqitjen në Evropë, Drita e nisi me turneun kualifikues të Ligës së Kampionëve. Në Champions u ndal në raundin parakualifikues dhe vazhdoi në Ligën e Evropës. E kaloi Sileksin maqedonas në raundin e dytë kualifikues, ndërsa në rundin e tretë të Ligës së Evropës u eliminua nga Legia e Varshavës.

Kualifikimet e Ligës ë Kampionëve, Drita ishte afër t’i siguronte edhe këtë vit. Ishte lidere deri gjashtë xhiro para fundit. Por, dështoi ta mbronte titullin, ashtu si edhe herën e parë, përkatësisht pas titullit të fituar në edicionin 2017/2018.

Drita rrezikoi daljen në garat evropiane. Vendin e dytë e siguroi pas fitores së arritur ndaj Arbërisë, të dielën me rezultatin 2:0. Dhe si nënkampione, Drita do të luajë sezonin e ardhshëm në parakualifikimet e Ligës së Konferencës, që është niveli i tretë i garave të organizuara nga UEFA. Është hera e parë që organizohet kjo garë dhe bashkë me Dritën në këtë nivel garash do të marrë pjesë për herë të parë edhe Llapi, si fitues i Kupës.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, pranon dështimin, por është i kënaqur që me skuadrën e tij do të marrë pjesë në garat e Evropës. Drita e mbylli edicionin me 76 pikë.

“Ndeshjet e tilla janë të vështira në aspektin psikologjik për lojtarët. E menaxhuam mirë ballafaqimin, nuk rrezikuam për asnjë moment. Epërsinë që e kishim në pjesën e parë, e menaxhuam. Kemi mundur ta mbyllim ndeshjen më herët. Më vjen mirë që është fituar ndeshja dhe është arritur Evropa pas vitit shumë të vështirë. Nuk e morëm maksimumin edhe pse kemi udhëhequr gjatë gjithë kampionatit”, ka thënë Nuhiu.

Në fakt, para disfatës nga Prishtina (java e 30-të), Drita pati një seri të mirë të rezultateve – tetë ndeshje pa humbje. Gjatë e mbajti edhe vendin e parë, por nga pozita e parë e rrëzoi Prishtina, kampionia e edicionit që u mbyll të dielën.

“Ka qenë një vit i gjatë me pandemi. Kemi pasur lodhje, dëmtime të lojtarëve në pjesën kryesore të kampionatit dhe mbetëm pa forcë. E kemi menaxhuar mirë megjithatë, dhe i përgëzoj lojtarët për këtë. Do të vazhdoj të jem pjesë e klubit. Objektivi ka qenë titulli. Me këtë klub nuk më lidh vetëm kontrata, pasi kemi raporte të jashtëzakonshme dhe unë gjithmonë do ta bëj më të mirën. Liga e Konferencës do të na jap mundësi të kërkojmë më tepër, në Evropë varet prej shortit. Do të mundohemi të sjellim freski për t’u përgatitur sa më mirë për ta përfaqësuar futbollin kosovar në Evropë”, përfundoi trajneri shkupjan.

Drita edhe në edicionin e parë të saj në gara kontinentale pati arritur t’i kalojë me sukses parakualifikimet, ndërsa u eliminua në rundin e parë të Championsit nga Malmo. Nuk kaloi tutje as në rundin e dytë të Ligës së Evropës.

Më të suksesshëm e pati rrugëtimin këtë edicion në garat evropiane. Drita vlerësohet një prej skuadrave më të organizuara viteve të fundit. Por, nuk është lënë anash edhe nga akuzat për kurdisje të ndeshjeve. Akuza në adresë të Dritës kishte edhe edicionet e kaluara.

Për Dritën do të jetë hera e tretë që merr pjesë në garat evropiane, tani bashkë me Llapin në parakualifikimet e Ligës së Konferencës. Ndërsa Prishtina luan në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve. Prishtina është skuadra që e ka shfrytëzuar çdo vjet daljen në Evropë, ndërsa titullin e fitoi pas tetë vjet pritjeje.