Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Joselu e kishte ëndërr kthimin te Real Madridi

Reprezentuesi i Spanjës, Jose Luis Mato, i njohur si Joselu, tha të martën se ishte një ëndërr e realizuar kthimi te Real Madridi. Ai iu bashkua Madridit 11 vjet pasi u largua.

“E kam ëndërruar këtë moment që nga dita kur u largova, jam shumë i emocionuar”, tha Joselu 33-vjeçar, në konferencën për shtyp.

Sulmuesi ka shënuar tre gola në katër paraqitje për Spanjën dhe Realit i bashkohet nga Espanyoli në huazim njëvjeçar me opsionin e blerjes. Ai u angazhua për ta ndihmuar ekipin nga “Santiago Bernabeu” në tentimin për ta forcuar sulmin e varfëruar. Karim Benzema, Eden Hazard, Marco Asensio dhe Mariano Diaz janë larguar duke lënë vend për përforcime të mëdha.

“Ne të gjithë e dimë nivelin e Karimit në këtë klub, por unë jam këtu për të bërë një punë tjetër”, tha Joselu.

“Unë do të jap gjithçka për këtë klub, është klubi i jetës sime. Kur futesh në fushë, veçanërisht në ‘Santiago Bernabeu’, dëshiron të shënosh gola”.

Joselu është transferimi i katërt i Madridit pas mesfushorit Jude Bellingham, mbrojtësit Fran Garcia dhe rikthimit të Brahim Diazit. Joselu, i cili ka bërë karrierë për dhjetë klube në Spanjë, Gjermani dhe Angli, ka luajtur më parë për ekipin B të Real Madridit dhe ka një paraqitje me ekipin e parë në La Liga, në edicionin 2010/11.

Megjithatë ai nuk arriti të depërtonte në ekipin e parë të Realit duke u detyruar ta vazhdojë karrierën te Celta Vigo, Hoffenheimi, Eintracht Frankfurti, Hannoveri, Stoke City, Deportivo La Coruna, Newcastle Unitedi e Alavesi. Verën e shkuar Joselu iu bashkua Espanyolit dhe firmosi kontratë deri në verën e vitit 2025. Edicionin e fundit, Joselu e përfundoi si golashënuesi i tretë më i mirë në La Liga me 16 gola të shënuar, por nuk arriti ta shpëtojë Espanyolin nga rënia në kategorinë e dytë të Spanjës. Ai përfundoi në listën e golashënuesve pas Robert Lewandowskit që pati 23 gola dhe Benzemas (19), i cili vendosi që karrierën ta vazhdojë në Arabinë Saudite.

Joselu këtë viti u ftua për herë të parë te Përfaqësuesja e Spanjës, duke luajtur në dy ndeshjet e muajit mars në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Joselu sërish u ftua nga selektori Luis de la Fuente për turneun final të Ligës së Kombeve, duke ndihmuar Spanjën ta fitoj trofeun. Ai shënoi golin e fitores në gjymëfinale ndaj Italisë, ndërsa në finalen ndaj Kroacisë u inkuadrua nga banka e rezervistëve. Këtë ndeshje, Spanja e fitoi pas penalltive.

Artikuj të ngjashëm