Sulmuesi Joselu nuk do të jetë pjesë e Real Madridit për edicionin e ardhshëm.
Real Madridi të premten ka njoftuar se e ka aktivizuar klauzolën për blerjen e Joselut nga Espanyoli.
Por skuadra madrilene ka vendosur që ta transferojë atë menjëherë te skuadra nga Katari, Al-Gharafa. Joselu te skuadra nga Katari është transferuar për 1.5 milionë euro. Ka nënshkruar kontratë dyvjeçare dhe me opsion vazhdimi edhe për një vit tjetër.
Gjiganti spanjoll Real Madrid e ka falënderuar Joselun për kontributin dhe për profesionalizmin e dhënë për një edicion te “Mbretërit”.
Në edicionin 2023/2024, 34-vjeçari në 49 ndeshje të zhvilluara ka shënuar 18 gola dhe ka fituar tre trofe me fanellën e “Los Blancos”. Ai ishte huazuar nga Espanyoli në verën e vitit 2023.