Kastriot Imeri ishte figura kryesore e ndeshjes mes Servettes dhe Zuerichut. Ai shënoi golin e tri pikëve për Servetten, që të dielën fitoi 1:0 ndaj liderit të Superligës së Zvicrës, Zuerichut.
Por ndeshja në Gjenevë ishte me shumë peshë për një tjetër futbollist shqiptar – Valton Behramin. Jo Valon, por Valton Behramin.
Behrami i ri luajti në krahun e majtë të mbrojtjes dhe paraqitja e tij nuk ka kaluar në heshtje. Ai luajti deri në minutën e 89-të, njëjtë si Imeri.
Për mbrojtësin që mbushi 18 vjeç muajin e kaluar, ishte paraqitja e dytë në elitën e Zvicrës. Ai debutoi më 20 mars në ndeshjen ndaj Sionit. Luajti 77 minuta. Më 3 prill ishte në stol ndaj Lausannes, ndërsa të dielën startoi dhe luajti thuajse deri në fund.
Gazeta “Blick” ka veçuar paraqitjen e Behramit.
“Disi emri i tij duket i njohur për ne. Por nuk është ylli i dikurshëm i Zvicrës, Valon Behrami, por Valton Behrami, që e zëvendëson superyllin Gael Clichy në krahun e majtë të mbrojtjes. Clichy është i sëmurë. Behrami me ‘T’ në emrin e tij i ka mbushur 18 vjet muajin e kaluar dhe ka luajtur ndeshjen e dytë në Superligë ndaj Zuerichut. I lënë në hije nga Fabian Rohneri i shpejtë në fazën fillestare të lojës, djaloshi i rritur në Gjenevë është përmirësuar dukshëm më pas”, ka komentuar gazeta e madhe zvicerane.
Edhe
Behrami vazhdon kontratën me Servetten
Pasi mësoi futbollin në disa ekipe të vogla, Behrami iu bashkua Akademisë së Servettes. Këtë edicion i ka luajtur 14 ndeshje kampionale në grupmoshën U18 dhe ka realizuar pesë gola. Ka edhe një gol në tri paraqitje në ndeshjet për Kupë me U18.
Talenti ka mbiemër të njëjtë dhe emër të ngjashëm me Valon Behramin, njërin prej lojtarëve më të mirë që ka pasur Zvicra. Valon Behrami po bën karrierë në Serie B të Italisë, ndërsa shumë gjatë ka luajtur në Serie A dhe në kampionate të tjera elitare. Ai ka lënë gjurmë edhe te Zvicra.