Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ish-futbollisti i Fenerbahçes rrezikon 32 vjet burgim për vrasje

Ish-futbollisti i Fenerbahçes, Sezer Ozturk, përballet deri me 32 vjet burgim për vrasje.

Ai akuzohet se ka vrarë një baba të dy fëmijëve në Turqi, raporton Daily Mail.

Ozturk akuzohet se ka vrarë me armë zjarri Halil Ibrahim Scholtenin në Stamboll shtatorin e kaluar, për shkak të një incidenti në trafik.

36-vjeçari ishte duke u kthyer në shtëpi me bashkëshorten, tre fëmijët dhe dadon në veturë, kur ndodhi rasti.

Shoku i tij Omer Genc – që mund të burgoset deri 28 vjet – ishte prapa tij me një veturë tjetër. Në veturë kishte dy fëmijët dhe bashkëshorten.

Edhe Refuzohet dorëheqja e trajnerit të Fenerbahçes Futboll Refuzohet dorëheqja e trajnerit të Fenerbahçes

Pretendohet se fjalosja nisi pasi veturat po bllokonin një rrugë në afërsi të shtëpisë së Ozturkut. Më pas filluan grushtimet, e eskaloi situata ku u përdor edhe arma e zjarrit.

Ozturk pretendon se u ka kërkuar shoferëve tjerë të lirojnë rrugën, por iu tha të presë.

Ai thotë se pas 10 minutave u kërkoi sërish të lirojnë rrugën, por u fye.

“Pasi kisha familjen me vete, qëndrova i qetë, por në veturë filloi të qante fëmiu im që ishte një vjet e gjysmë. Duhej të shkoja në shtëpi. Nuk kishte mënyrë tjetër për të shkuar në shtëpi. Dhe përfundimisht dikush u afrua te dritarja e veturës te ana e bashkëshortes sime dhe filloi të shante. Ne nuk përdorim gjuhë të tillë kur ka gra e fëmijë. Jetojmë për nderin tonë. Unë prapë e kapërdiva këtë pasi kuptova se ishin të dehur. Dola nga vetura vetëm kur pash se njëri nga ta kishte hapur derën e prapme të veturës. Me të dal dikush më grushtoi, nisën të më godisnin. Dikush hodhi karrige tek unë. Unë e kuptova se i vdekuri po ashtu kishte dy fëmijë, por nuk e iniciova këtë, nuk jam përgjegjës”, ka thënë Ozturk.

Duke pretenduar se u godit disa herë, Ozturk thotë se shoku i tij Genc doli nga vetura dhe gjuajti disa herë në ajër me armë.

Futbollisti, që ka luajtur 15 herë për Fenerbahçen mes vitit 2011 dhe 2013, thotë se grupi tjetër u shpërnda, por njëri me pikup iu vërsul dhe e goditi në këmbë.

Pasi lanë familjet në shtëpi, Ozturk dhe Genc thonë se shkuan për në spital. Ozturk thotë se rruga për në spital sërish u bllokua nga një grup përfshirë të ndjerin tashmë Scholtenin.

Sipas pretendimit të tij, grupi kishte shkopinj dhe mjete të mprehta. Genc pretendohet se i tha Ozturkut “aty ke një armë”.

Edhe Presidenti i Fenerbahçes dënohet me burgim Futboll Presidenti i Fenerbahçes dënohet me burgim

Ozturk thotë se hapi zjarr pa shënjestruar. Afro 10-12 plumba nga ai dhe Genc ishin gjuajtur në ajër. Por njëri nga ta e goditi Scholtenin.

Genc tha se grupi i madh i sulmoi ata, dhe kishte frikë për jetën.

Mirëpo, deklaratat e dy të akuzuarve janë të kundërta me ato që thotë Prokuroria.

Prokuroria pretendon se Ozturk e Genc ishin fjalosur me Scholtenin para se të shkonin prapa tij me armë dhe ta qëllonin në total me gjashtë plumba.

Ozturk akuzohet për vrasje, ndërsa po ashtu edhe arma ishte pa leje.

Prokuroria ka kërkuar 32 vjet burgim për Ozturkun e 28 vjet burgim për Gencin.

Ozturk karrierën profesioniste e kishte nisur në Bayer Leverkusen të Gjermanisë, ndërsa kishte luajtur edhe për Nurnbergun.

Edhe Turqia urdhëron arrestimin e lojtarëve të Superligës për bastvënie ilegale Futboll Turqia urdhëron arrestimin e lojtarëve të Superligës për bastvënie ilegale

Në Turqi pos Fenerbahçes luajti për skuadra si Manisaspor, Eskishehirspor, Istanbul Bashakshehir.

Ai ka luajtur për grupmosha të reja të Turqisë.